MD-ja paralajmëron se do të bëjë publike shpenzimet për të akuzuarit në Hagë

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Afro gjysmë milioni euro i ka ndarë Ministria e Drejtësisë për mbrojtjen juridike të katër personave të akuzuar nga Specialja, pas kërkesave të marra. Kjo ministri ka paralajmëruar se do ta ndryshojë vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, që nuk lejonte dhënien e detajeve për mjetet që do të ndahen. Njohësit e çështjeve të lidhura me drejtësinë, ndërkaq, thonë se mungesa e transparencës në shpenzimin e këtyre mjeteve, i ka disa pasoja.

Shpenzimet për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale pritet të bëhen publike.

Kjo, pasi Ministria e Drejtësisë e ka paralajmëruar ndryshimin e vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili deri më tani nuk ka lejuar që të dhënat e tilla të jenë të qasshme për publikun.

Ndonëse kanë paralajmëruar veprime konkrete, përmes një përgjigjeje për KOHËN, nga kjo ministri nuk kanë treguar se kur do të bëhet një gjë e tillë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur shumë kërkesa për publikimin e shpenzimeve veç e veç për mbrojtjen juridike të personave që akuzohen pranë Dhomave të Specializuara. Siç jeni në dijeni, interpretimi i zyrës ligjore të Ministrisë është që vendimi i marrë në kohën e Haradinajt nuk lejon qasje. Në këtë drejtim, ministrja Haxhiu ka qenë në konsultime me Zyrën e Kryeministrit dhe duke pasur parasysh obligimin që kemi për transparencë në shpenzimet e parasë publike, shumë shpejt do të ketë veprime konkrete në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Duke mos dhënë detaje shtesë, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se për mbrojtjen juridike të katër personave, ka ekzekutuar afro gjysmë milioni euro.

“Lidhur me kërkesat e bëra, ju njoftojmë se pas verifikimit të tyre nga Njësia përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë, Komisioni i ka shqyrtuar dhe pas konstatimit se kërkesat i plotësojnë kriteret përkatëse, ka aprovuar 4 kërkesa të parashtruara nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara. Shuma e mjeteve financiare të ekzekutuara për 4 kërkesat e parashtruara nga avokatët mbrojtës është 464,600.00 euro”, ka thënë kjo ministri.

Publikimin e shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve e konsiderojnë çështje të natyrës urgjente nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Gëzim Shala, hulumtues në këtë institut, thotë se mungesa e transparencës për këto shpenzime pamundëson verifikimin nëse ndarja e mjeteve është bërë në mënyrë ligjore apo jo.

“Mbajtja fshehur e këtyre shpenzimeve mund të ketë dy pasoja. E para, mungesa e llogaridhënies përballë publikut lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe e dyta është se mund të krijojë situata kur të akuzuarit trajtohen në mënyrë selektive. Për këtë arsye ajo që duhet të bëjë Ministria e Drejtësisë është që urgjentisht ta rregullojë aspektin e akteve nënligjore dhe që këto të dhëna t’i bëjë publike”, është shprehur Shala.

Aktualisht, Gjykata Speciale i ka konfirmuar aktakuzat për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e Salih Mustafën, si dhe për udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinajn.

Të ngjashme