Tmerri më i madh i një mbretërie mund të jetë kidnapimi. Fatmirësisht, kjo nuk ka ndodhur kohëve të fundit. Megjithatë, shumë njerëz kanë bërë plane për kidnapimin e ndonjë anëtari të familjeve mbretërore, por kanë dështuar të bëjnë një gjë të tillë. Një ngjarje, që për shumë njerëz mund të jetë e panjohur, ka ndodhur më 1999 kur ishte tentuar të kidnapohej atëherë Princi Haakon i Norvegjisë, atëherë 26 vjeçar.
Tentim-kidnapimi është mbajtur i fshehtë për një kohë të gjatë, dhe ende nuk dihen shumë detaje. Së paku jo deri më 2000, një vit pasi tentimi për kidnapim u zbulua në një biografi të re mbi babanë e Princit Haakon, Mbretin Harald. Por, kush mund të ketë qenë i interesuar të kidnaponte Princin Haakon? Në të vërtetë, ishte mafia kosovaro-shqiptare që bëri plane për të kidnapuar trashëgimtarin norvegjez.
Siç raporton portali “Royalcentral.co.uk”, që e prezanton veten si burimin më të madh të informatave për familjet mbretërore nëpër botë, lideri i mafisë kosovare, Princ Dobroshi drejtoi një rrjet që kontrabandoi heroinë në Evropë më 1999. Më 1993, ai ishte arrestuar në Norvegji dhe më 1994 ishte dënuar me 14 vjet burgim për trafikim me heroinë. Në një operacion të koordinuar, ai u arratis nga burgu Ullersmo më 1997, udhëtoi për në Kroaci dhe bëri ndërhyrje kozmetike në fytyrën e tij. Më pas ai u zhvendos në Republikën Çeke dhe shpejt e mbizotëroi mafinë lokale shqiptare të drogës. Më 1999, ai u kap dhe u kthye në Norvegji për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burg, transmeton Koha.net.
Ishte pikërisht kjo koha kur rrjeti i tij kosovaro-shqiptar nisi planifikimin e kidnapimit të Princit Haakon. Ata deshën ta kidnaponin atë për ta shkëmbyer më pastaj me lirimin e liderit të tyre nga burgu. Në atë kohë, Dobroshi njihej si një prej të burgosurve më të rrezikshëm të Norvegjisë.
Shërbimi policor krejt rastësisht mori informacione nga rrjeti kriminale se po planifikonin diçka lidhur me trashëgimtarin mbretëror. Një hetim më i thellë nisi që më pas zbuloi se po planifikohej një kidnapim, por nuk ishin në gjendje të përcaktonin se kush ishte prapa këtij plani apo kur do të ndodhte kidnapimi.
Sigurimi përreth djalit të Mbretit i rrit menjëherë. Megjithatë, problemi i policisë ishte se bashkëshortja e tij e tanishme, Mette-Marit, nuk kishte kurrfarë roli zyrtar në pallatin mbretëror atë kohë. Si rrjedhojë, as ajo e as i biri i saj Marius nuk kishin truproja. Kërcënimet ishin marrë aq seriozisht sa që policia, sipas një raporti shumë sekret, që më pas rrodhi në media, donte që Princi Haakon të jetonte me Mette-Marit dhe të birin e saj Mariusin. Policia llogariti se do të ishte shumë më lehtë të ruheshin të dy ata nëse do të jetonin së bashku. Mette-Marit shumë shpejt u vendos në apartamentin e Princit.
Më vonë u bë e ditur se policia kishte punuar intensivisht në disa nivele për të zbuluar planet e kidnapimit. Njerëzit prapa planit kanë qenë në ambient kriminal në Ballkan, sipas raportit policor. Kur policia dëgjoi për planet e kidnapimit, Dobroshi u zhvendos në burgun më të sigurt në Norvegji.
Janarin e vitit 2000, Dobroshi u lirua dhe u deportua nga Norvegjia, ndonëse nuk e kishte vuajtur dënimin e plotë. Pas kësaj, masat e sigurisë përreth Princit u ulën ndonëse ende janë shumë të rrepta edhe këtë ditë.
Ndërkaq, mediat në vend kanë raportuar gjatë këtij muaji se Princ Dobroshi është arrestuar në Kosovë.
Sipas “Sinjalit”, Policia e Kosovës më 9 dhjetor, 2019, ka arrestuar tre persona pas një përleshjeje në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.
Siç është bërë e ditur, të arrestuarit janë Artan Dobroshi, Princ Dobroshi dhe Valon Sadiku.
Policia e Kosovës përmes një komunikate lajmëroi se arrestimi i tyre është bërë për shkak të një përleshje dhe për armëmbajtje pa leje.
“Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor në Pejë, me datën 07.12.2019 rreth orës 13:00, është njoftuar se në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave, si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore dhe është hapur rasti ‘lëndim i lehtë trupor’, gjatë hetimit të rastit hetuesit e Stacionit Policor Pejë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit kanë kryer bastisje në tri (3) lokacione”, thuhej në njoftimin e policisë.
Gjatë bastisjes në depon e njërit prej të dyshuarve, Policia bëri të ditur se është konfiskuar një armë dhe 13 fishekë, është gjetur dhe konfiskuar një Pistoletë e tipit ‘Stoeger Cougar 9mm dhe 13 fishekë 9mm. dhe është hapur rasti Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48orësh.