Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se borxhi publik në TM2 2019 ka arritur në 1.13 miliard euro, që është për 9.3 për qind më i lartë krahasuar me TM2 2018.
“Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.5 për qind nga 16.3 për qind sa ishte në TM2 2018. Përkundër rritjes, ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 për qind të paraparë me ligj dhe po ashtu e mban Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik, krahasuar me vendet e rajonit”, citon rtk raportin e BQK-së “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike Nr. 27, Tremujori II/2019”.
Sipas BQK-së sektori fiskal deri në qershor 2019 u karakterizua me rritje të të hyrave prej 7.7 për qind dhe ngadalësim të rritjes së shpenzimeve buxhetore prej 2.9 për qind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi suficit primar buxhetor prej 0.3 milion euro (37.1 milionë euro deficit në periudhën e njëjtë të vitit 2018). Borxhi publik në TM2 2019 ka arritur në 1.13 miliard euro, që është për 9.3 për qind më i lartë krahasuar me TM2 2018. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.5 për qind nga 16.3 për qind sa ishte në TM2 2018.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, sektorët përbërës të sistemit financiar u zgjeruan për 153.3 milionë euro, kryesisht si rezultat i rritjes së aktivitetit të sektorit bankar dhe sektorit pensional. Edhe sektori mikrofinanciar dhe i sigurimeve u karakterizuan me rritje të aktivitetit, megjithëse ky i fundit është përballur me rezultate negative financiare.
Deri në qershor 2019, sektori i jashtëm është karakterizuar me zvogëlim të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 10.0 për qind. Zvogëlimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet rritjes së bilanceve pozitive të shërbimeve, të ardhurave parësore dhe të ardhurave dytësore, ndërsa deficitit i mallrave shënoi rritje. Në kuadër të bilancit të pagesave, remitencat dhe Investimet e huaja direkte (IHD) shënuan rritje vjetore prej 5.5 për qind, përkatësisht 53.2 për qind.