Për performancë të mirë të treguar gjatë vitit 2018, Komuna e Pejës është shpërblyer me grant prej 811 mijë eurosh nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nga partnerët e saj strategjikë në këtë projekt për matjen vjetore të performacave të komunave: Qeveria e Suedisë, Qeveria e Norvegjisë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim(SDC).
Për vitin 2020, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedinë dhe Norvegjinë kanë ndarë gjithsej 4.9 milionë euro mjete për grantin e performancës komunale, prej të cilave MAPL-ja ka ndarë 2.5 milionë euro, SDC 950 mijë euro, Qeveria norvegjeze 910 mijë euro dhe Qeveria suedeze 540 mijë euro, me të cilat janë shpërblyer 23 komuna me shuma të ndryshme, varësisht nga vendi që janë renditur bazuar në performacën e treguar gjatë vitit 2018 në qeverisjen demokratike, në menaxhimin komunal dhe në ofrimin e shërbimeve publike.
Komuna e Pejës, me grantin që është shpërblyer si fituese e kësaj gare për vitin 2018, para Komunës së Junikut dhe asaj të Lipjanit, të cilat janë shpërblyer edhe me një bonus prej 10 për qind të totalit të grantit si tri komunat me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve, planifikon që të financojë 12 projekte për ndriçim publik dhe rregullimin e hapësirave publike.
Drejtori i Financave, Jeton Abazaj, ka thënë se Komuna nga buxheti i saj për sivjet kishte planifikuar 250 mijë euro për bashkëfinancim të projekteve me donatorë.