Me kërkesë të avokatit, ndërprehet seanca për uzurpim prone dhe kanosje të inspektorit në Obiliq

Prishtinë | 08 Maj 2023 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Për shkak së mbrojtësi i të akuzuarit Sh.I., avokati Bahtir Troshupa ka kërkuar një muaj kohë për përgatitjen e mbrojtjes, është ndërprerë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Sh.I, po akuzohet se në vitin 2014 në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit A.R dhe lidhur me atë pronë e ka kanosur inspektorin komunal në Obiliq.

Paraprakisht, në këtë seancë, avokati Troshupa ka kërkuar nga gjykata që të punohet një super-ekspertizë, pasi që sipas tij ka kundërthënie në mes të dy ekspertizave që janë punuar, ashtu që duhet të konstatohet mbi bazë të historiatit rrjedha e procedurës në aspektin juridik dhe faktik për ngastrën 21/01 dhe 21/03, si dhe të konstatohet prejardhja dhe historiati i plotë për ngastrat për të cilat akuzohet për uzurpim i pandehuri Sh.I, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin e avokatit Troshupa, e ka kundërshtuar prokurori Blerim Igrishta, me arsyetimin se faza e elaborimit të provave është mbyllur me aktvendim dhe se të gjitha provat e propozuara nga mbrojtja e të akuzuarit, janë elaboruar më shumë se dy herë.

“Aq më tepër, në shkresat e lëndës ekziston edhe procesverbali i daljes në vendngjarje nga ekspertë të lëmisë përkatëse, ku edhe është sqaruar si gjendja faktike po ashtu edhe ajo juridike, e me çka bie në kundërshtim me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit që të shkohet me super-ekspertizë, aq më tepër kur në rastin konkret në këtë gjykatë është marrë në pyetje eksperti i cili ka bërë ekspertizën në mënyrë shumë profesionale dhe i njëjti në prezencën e mbrojtësit të të akuzuarit ka sqaruar në detaje secilën dilemë që palët në procedurë e kanë pasur për rastin konkret”, tha prokurori Igrishta.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Driton Muharremi, ka përkrahur prokurorin Igrishta, duke shtuar se nuk është e nevojshme një super-ekspertizë për faktin se i dëmtuari A.R., fare nuk kufizohet me të pandehurin.

“I pandehuri veçse ka humbur kontestin në të gjitha instancat në divizionin civil sa i përket parcelave 21, ku pronar të ligjshëm janë familja M., ndërsa i njëjti nuk ka asnjë provë të vetme përveç kontratës interne të cilën pretendon se e kanë nënshkruar gjatë kohës së bombardimeve në qershor të vitit 1999, ndërsa çështja është komplet e pastër sa i përket uzurpimit për faktin se fleta poseduese nëse kërkohet sot si dhe kopja e planit, shihen qartë se evidentohen në emër të reformës me pronar A.R.”, tha avokati Muharremi.

Ai tha se propozimi i mbrojtjes për një super-ekspertizë është vetëm tentativë për ta zvarritur procedurën, pasi që edhe vetë i pandehuri në vendin e ngjarjes kishte pranuar që brenda një muaji do ta lirojë parcelën e uzurpuar.

Ndërkaq, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e ka refuzuar propozimin e avokatit Troshupa, me arsyetimin se nuk janë të nevojshme dy ekspertiza dhe se procedura e provave ka përfunduar.

Pas kësaj, avokati Troshupa ka kërkuar shtyrjen e seancës, duke kërkuar një muaj kohë që të përgatiten për dhënien e mbrojtjes.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 6 qershor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 prill 2015 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sh.I po akuzohet se më 19 nëntor 2014, në mënyrë të kundërligjshëm ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit A.R.

Në aktakuzë thuhet se pa autorizim ka ndërtuar një mini-fabrikë për ndërtimin e kubave, duke hyrë në posedim faktik të paluajtshmërisë – tokës, e cila gjendet në fshatin Llazarevë në Komunën e Obiliqit, e cila evidentohet me emrin e të dëmtuarit A.R, me sipërfaqe 6530m2.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sh.I., refuzon ta lirojë patundshmërinë në fjalë, duke penguar të dëmtuarin ta shfrytëzojë atë.

Me këtë, ai po akuzohet e ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Sh.I  po akuzohet se më 19 nëntor 2014, ka shkuar në zyrën e inspektorit Komunal në Obiliq në lidhje me pronën e cekur si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të njëjtin e ka kanosur seriozisht me fjalët “nëse vazhdon me këtë punë do të keni pasoja ju dhe inspektorët e tjerë”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, ai po akuzohet e ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 185, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

Të ngjashme