Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Leotrim Krasniqi, avokatit Naser Sopjani është shtyer seanca e së martës, në rastin ku të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi, akuzohen për plagosjen e menaxherit të “On Records”, Mehmet Elshani.
Ndërsa në këtë rast, i dëmtuari Elshani akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi ka thënë se mbrojtësi i të akuzuarit Leotrim Gashi, avokati Naser Sopjani përmes parashtresës ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet me arsyetimin se i njëjti është i detyruar të udhëtoj jashtë vendit.
Gjithashtu në këtë seancë munguan edhe të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi, për të cilët gjykatësi njoftoi se të njëjtit nuk janë sjellë në këtë seancë në mënyrë që të mos krijohen shpenzime të panevojshme.
Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 18 tetor 2022.
Ndryshe, në këtë rast, Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi po akuzohen se kishin tentuar të privonin nga jeta të akuzuarin Mehmet Elshani, ndërsa Cakiqi po akuzohet edhe për një tjetër rast, në të cilin kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Agon Selmanaj, të cilit i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor.
Në aktakuzë thuhet se derisa Elshani ishte duke shkuar në drejtim të sallonit “Rizza Hair Sallon”, kishin shkuar të akuzuarit dhe kishin filluar të fjalosen me të, ku të tre i kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të qëllonin në drejtim të Elshanit, i cili për t’u mbrojtur kishte nxjerrë armën e tij dhe kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve.