Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme aktualisht ka 20 gjyqtarë, prej tyre 7 ndërkombëtarë. Numri i gjyqtarëve për Dhomën e Posaçme përcaktohet me ligjin për këtë institucion, raporton Ekonomia Online.
Por numri prej 20 gjyqtarësh po del të jetë i pamjaftueshëm për tu marrë me 21 204 lëndët sa gjenden në sirtarët e Dhomës së Posaçme.
Përveç mungesë së gjyqtarëve Dhoma e Posaçme përballet dhe me mungesë të stafit profesional dhe administrativ.
Pas publikimit të një raporti të Avokatit të Popullit, ku kritikohej zvarritja e lëndëve në dhomë, është iniciuar ndryshimi i Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se është formuar një komision për ndryshimin e ligji, komision ky që ka hartuar një draft-dokument për këtë çështje.
Sylejmani ka kërkuar që të ndryshohet ligji për hequr barrierën e kufizimit të numrit të gjyqtarëve.
“Së fundmi është ndërmarr një iniciativë në bazë të një raporti të Avokatit të Popullit ku është themeluar një komision i cili ka filluar përpunimin e draft dokumentit për ndryshimin e Ligjit të Dhomës së Posaçme, pjesë e atij grupi jam edhe unë ku janë mbajtur disa seanca dhe është bërë drafti fillestar. Ligji duhet të ndryshohet për të hequr barrierën e kufizimit të numrit të gjyqtarëve dhe pastaj të rritet numri i tyre. Neve ndoshta na duhet për të trefishuar numrin e gjyqtarëve për ta përballuar këtë ngarkesë kaq të madhe. Aktualisht nuk mund të rritet numri pa u hequr kjo barrierë”, ka sqaruar Sylejmani.
Sylejmani shprehet i bindur se ka gatishmëri politike që të ndryshohet ligji për dhomën në mënyrë që të mund të rekrutojnë gjyqtarë të rinj.
“Unë mendoj që do të bëhet kjo, ne kemi pasur takime edhe në qeveri, janë të njoftuar edhe Këshilli Gjyqësor e Ministria e Drejtësisë lidhur me problemet që ka Dhoma e Posaçme. Ka gatishmëri që duhet të ndryshohet ligji dhe në këtë drejtim është formuar ky grupi punues që ka filluar punën për ndryshimin e ligjit”, tha Sylejmani, raporton EO.
Sipas kryetarit për shkak të mungesë së gjyqtarëve nga vitet paraprake janë bartu 21 581 lëndë, kurse vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë pranuar 963 lëndë.
Nga janari deri në qershor janë zgjidhur 1340 lëndë, ndërsa të pazgjidhura aktualisht në dhomë mbesin 21 204 lëndë.
Kryetari ka thënë se me këtë dinamikë të punës dhe me stafin që kanë ju duhen së paku 10 vjet do të na duheshin që t’i zgjidhin të gjitha lëndët, pra nëse nuk pranojnë asnjë lëndë tjetër në punë.