Me Ligjin për Ndërtimet pa Leje eliminohen burokracitë komunale e mundësitë për keqpërdorime

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 13:01 | Nga Mehmet Krasniqi

Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka miratuar Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Ky Projektligj u miratua me votat e gjithë deputetëve, përjashtuar atë të Listës Serbe Srdjan Mitroviq, i cili abstenoi për shkak se tha që janë refuzuar të gjitha amendamentet e propozuara nga ta, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj tha se miratimi i Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje do lehtësojë jetën e qytetarëve sepse sipas tij, ulen taksat administrative, eliminohen burokracitë komunale dhe mundësitë për keqpërdorime.

“Miratimi i këtij ligji besoj se do të lehtësoj jetën e qytetarëve. I lexova amendamentet, janë ndryshime teknike s’ka ndryshime në substancë. Ligji i ulë taksat administrative, eliminon burokracitë komunale, i eliminon mundësitë për keqpërdorime. Krijon lehtësime për qytetarët”.

Kryetari i Grupit punues për këtë Projektligj, Liburn Aliu, tha se me këtë ligj procesi i legalizimit do të realizohet shumë më mirë.

Sipas tij, qytetarët do të kenë mundësi që me kosto shumë më të vogël të bëjnë legalizimin e objekteve.

“Grupi punues për trajtimin e Projektligjit i ka trajtuar të gjitha amendamentet, vërejtjet nga OSBE dhe zyra ligjore e kuvendit. Kemi bërë amendamentet nevojshme. Po shpresojmë që me këtë ligj me këto rekomandime kemi me pas mundësinë që procesi i legalizimit të vazhdojë në mënyre shumë më të mirë.

“Qytetarët do të kenë mundësi me kosto shumë më të vogël do të bëjnë legalizimin. Kjo do të ketë rol në pranimet teknike, tash është mundësia që procesi i pranimit teknik të kryhet më thjesht dhe të marrin certifikatën e përdorimit”.

Aliu tutje bëri të ditur se qytetarët pa e zgjidhur çështjen pronësore nuk do të mund të legalizojnë objektet.

“Pa qenë e zgjidhur çështja pronësore s’mund të ketë legalizimit. Kur një certifikatë ka vërejtje s’mund të merret legalizim”.

Aliu bëri të ditur se projektligji përmban 9 amendamente dhe në të janë përfshirë vërejtjet e OSBE-së dhe Zyrës Ligjore të Kuvendit.

Aty sipas tij, janë përfshirë edhe amendamentet e Listës Serbe dhe në katër prej tyre janë marrë parasysh vërejtjet e kësaj liste, raporton EO.

Aliu shtoi se amendamentet e Listës Serbe të cilat kanë kërkuar që të fshihet nga një paragraf, kanë konstatuar që ka paqartësi por nuk ka nevojë të fshihen, vetëm të riformulohen.

“Komisioni për ankesat ka të bëjë me aspekte teknike dhe s’ka pse te ketë ndikim etnik ky komision”.

Haradinaj kërkoi që ligji të merret me uzurpatorët.

“Po shihet që është bërë punë e madhe në këtë projektligj dhe nuk duhet paragjykohet etnikisht. Ligji duhet të merret me uzurpatorët”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme