Kërkohet rritje e buxhetit për bujqësi, s’mjaftojnë mbi 61 milionë

Prishtinë | 18 Dhj 2018 | 15:34 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor ka mbajtur një mbledhje ku është shqyrtuar buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2019.

Edhe pse ishte i ftuar, Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, nuk ishte i pranishëm por atë e përfaqësoi zëvendësministri Mevludin Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Ai arsyetoi mungesën e ministrit ndërsa paraqiti ndarjen buxhetore dhe buxhetin në tërësi.

Ai tha se ministri Rikallo çdo ditë del në punë dhe se aktivitetet në ministri nuk kanë mbetur mbrapa për shkak të arsyeve politike.

“Arsyeja e mungesës është për çështje politike aktuale që kanë qenë në Kosovë. Ne po mundohemi që ta zëvendësojmë dhe  t’i kryejmë detyrat dhe obligimet tona që qytetarët për asgjë të mos mbesin mbrapa. E gjithë puna e mirë është bërë edhe falë këtij komisioni. Ministri Nenad Rikallo, çdo ditë del në punë dhe i kryen obligimet e veta. Gati çdo ditë. Aktivitetet në ministri nuk kanë mbetur mbrapa për shkak të arsyeve të tjera politike”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se pavarësisht që kërkesat janë të mëdha nga fermerët dhe nevojitet rritje e buxhetit.

Ai njoftoi se buxheti për bujqësinë gjatë vitit 2019 do të jetë rreth 61.4 milionë euro, ndër to 48.000.887 euro do të ndahen për subvencione për bizneset e ndryshme bujqësore.

Krasniqi tha se janë 600 përfitues të granteve investive në të gjitha sektoret, projektet e të cilëve, sipas tij, kanë filluar të ndihmohen nga ministria dhe do të vazhdojnë ta kenë përkrahjen e institucioneve.

Veç kësaj 24 milionë euro do të ndahen për pylltari, 25 milionë euro për zhvillimin rural derisa 2.6 milionë euro do të destinohen për paga dhe mëditje.

“Është rritur numri i përfituesve të granteve nga viti në vit. 2018 kemi mbi 600 përfitues. Sa i përket investimeve kapitale, buxheti është i orientuar në sektorin e ujitjes, që shkon për projektin sistemi  ujitjes Dukagjin-Radoniq. Një pjesë e investimit shkon edhe në infrastrukturën e vreshtave”, tha ai, raporton EO.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Besa Gaxherri, kërkoi që të bëhet një auditim edhe i brendshëm edhe i jashtëm për shumën që ndahen për subvencione.

“Shqetësimet tona kanë qenë të ngritura në buxhetin dhe shpërndarjen e buxhetit në subvencione dhe transfere. Asnjëherë nuk kemi marrë raport nga auditori që këto para a po ndahen drejtë. A është planifikuar ndonjë program si do të shpenzohen. A është marrë veprim që kriteret në sektorin e bujqësisë të jenë në vijë me udhëzime administrative. Jeni ankuar për mungesë stafi. Investimet kapitale që janë diku 6 milionë, janë shuma të njëjta të bartura nga viti 2018”, ka thënë Gaxherri, raporton EO.

Ndërsa, Kapllan Halimi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë,  u përgjigj nga disa prej pyetjeve që parashtruan anëtarët e komisionit.

“48 milionë për grante, është program i detajuar, i hartuar ngushtë. Jemi në fazën përfundimtare të investimeve në bujqësi dhe zhvillim rural. Para dy jave ministri ka bë një vendim për kontrollim të koshereve të bletëve për të parë se a kemi një dallueshmëri të asaj sa paguajmë dhe sa koshere kemi. Grantet investive që hyjnë tek subvencionet e kanë një periudhë monitorimi për pesë vite. Vitin tjetër do të bëjmë një investim 5.4 milionë në infrastrukturën Dukagjin- Radoniqi”, ka thënë Halimi.

Aty pati edhe pyetje nga komisioni. Anëtarët kërkuan të dijnë se a do të ketë mbrojtje nga fatkeqësit natyrore.

Deputeti Salih Saliu tha se buxheti është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Ish dashtë që buxheti për bujqësi me u rritë dukshëm. Edhe duke marrë parasysh masën 100 për qind ish dashtë me u rritë. Nuk ka kategori për dëmet. Nuk e di a duhet me bë ne një amendament që me shtu një buxhet për dëmet. Ish dashtë me kërku që buxheti për bujqësi me u rritë, për shkak të taksës”, tha Salihu.

Deputeti i AAK-së, Muharrm Nitaj, reagoi. Pati pyetje për ministrinë.

“Pse buxheti në bujqësi është po i njëjti si vitet e kaluara, a d.m.th se bujqësia nuk është prioritet i kësaj qeverie. A d.m.th se nuk keni ditë si ta planifikoni buxhetin”, tha Nitaj.

E deputeti Salih Zyba kërkoi që të ketë projekt konkret tek sektori i ujitjes.

“Te sektori i ujitjes, një projekt konkret. Te infrastruktura, te vreshtat, çfarë investime.  Kur nuk ka takime, nuk ka as bashkëpunim. Nuk pajtohem me juve, nuk ka pas bashkëpunim me ministrinë dhe këtë komision.  Kontrolli i koshereve, si guxon me i hapë kosheret në këtë kohë. Ish dashtë me u bë para gjashtë muajve”, tha Zyba.

E aty pati përgjigje nga zv. ministri Krasniqi.

“Te buxheti, e thash në fillim është më i vogël në rajon në krahasim me investimet që bëhen në BE, por ka pas rritje ndër vite dhe është në kuadër të programit për zhvillim të bujqësisë 2014-20. Ka nevojë të rritet buxheti dhe këtu mund të na ndihmoni. Po iu bëj thirrje që ne jemi të gatshëm të përballemi dhe ti tejkalojmë problemet. Një përgjigje z.Zyba, sekretari tregoj cilat kanë qenë investimet në sistemin ujitjes.,jemi në fazën kur do të implementohet projekti”, tha ai, raporton EO.

Sekretari, u përgjigj se pavarësisht se kanë kërkuar rritje të buxhetit çdo vit, asnjëherë nuk u është plotësuar.

”Kërkesa jonë është mbi 100 milionë euro dhe insistimi ynë ka qenë i vazhdueshëm që të kemi rritje të buxhetit çdo vit”, tha ai.

Ekrem Gjokaj, u.d kryeshef i agjencisë për zhvillimin e bujqësisë, ka thënë se nuk janë të kënaqur me ndarjen e buxhetit për ministrinë.

“25.8 milionë euro kemi pagu sa i përket pagesave të drejtpërdrejta. Përfitues kanë qenë 27 mijë fermer dhe më shumë se 3.2 milionë janë duke pritë alokim. E kemi përgatit dokumentacionin për me mbulu sigurinë e fermerëve, por në mungesë të vullnetit politik nuk ka ndodhë”, tha ai.

Të ngjashme