Debat i nxehtë në Komisionin për Bujqësi, shkak dyshimet për keqpërdorime në MBPZHR

Prishtinë | 22 Shk 2019 | 13:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka filluar mbledhjen me diskutime të ashpra si shkak i mosraportimit të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove, raporton Ekonomia Online.

Edhe pse kishte në plan shqyrtimin e Projektligjit për pijet e forta alkoolike si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i tërë debati u zhvillua për neglizhencën që po i bënë kjo ministri.

E në mungesë të zv.ministrave të Bujqësisë aty deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Salih Zyba lëshoi mbledhjen e komisionit.

“Kjo çështje është politike dhe nuk është teknike. Është një lojë për mungesë e raportimit në Komision. Sepse po bëhet fjalë për miliona euro. Ne për shkak të rëndësisë së veçantë të këtij dikasteri po kërkojmë një person që është përgjegjës që është për këtë dikaster”, tha Zyba.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, ka thënë se Komisioni duhet të ftojë kryeministrin për raportim lidhur me çështjen e granteve ose të caktojë dikë nga zëvendësministrat për raportim lidhur me grantet.

“Ne i kemi thirr në mbledhjen e kaluar zv. ministrin dhe këshilltarin e përgjithshëm dhe shpjegimi i tyre është që ata nuk kanë mandat ta përfaqësojnë askënd nga kjo ministri. Propozoj të mbështesni propozimin që mbledhjen e ardhshme të vijë edhe kryeministri”, tha Nitaj.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu anëtare, tha se meqë janë tre zëvendësministra në Ministri të Bujqësisë, duhet të ftohen të gjithë, ngase nuk ka zëvendësministër të parë ose ushtrues detyre.

“Kemi shumë zv. ministra, por meqë këtu nuk ka zv. ministër të parë pra nëse janë tre le të vijnë 3-të le të na raportojnë për problemin e granteve”, tha ajo.

E kryetari i komisionit, Muharrem Nitaj, tha se ai nuk i detyron zv.ministrat të vijnë e të raportojnë në komision.

“Unë jam kryetar i komisionit, nuk jam kryeministër as ministër. Unë nuk e kam mekanizmin me i shti me dhunë me ardhë ministrat”, tha Nitaj, raporton EO.

Deputeti Andin Hoti, ka thënë se përgjegjëse për grante është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e jo zëvendësministri i Bujqësisë.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha se komisioni është i shqetësuar pasi që dikasteri i ministrisë së Bujqësisë gjendet totalisht jashtë kontrollit.

“Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e ministrisë së Bujqësisë, e dimë me muaj të tërë këtë ministri e kemi jashtë kontrollit. Ne nuk kemi kujt me i kërku raport për shqetësimet tona”, tha Gaxherri.

Në këtë komision u miratua edhe rendi i ditës, megjithëse dikush doli i pakënaqur edhe me proces verbalin e kësaj mbledhje.

Deputetja Besa Gaxherri tha se duhet kujdes i veçantë për këtë proces verbal.

“Nuk ka bë ju si staf me pa këtë proces verbal kështu dhe me na dërgu neve, ju është dashtë me ardh me një njoftim dhe mos të keni fare proces verbal. Ju kisha lutë të jemi më të kujdesshëm”, tha Gaxherri.

Komisioni ka miratuar në parim projektligjin për pijet e forta alkoolike. Komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Të ngjashme