“Kosova ka mungesë të ujit dhe të resurseve të tij”

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 12:56 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar Strategjinë Shtetërore për Ujëra 2017-2036. Ndonëse u pranua se strategjia ka probleme, Baton Begolli, këshilli ndërministror i ujit nga zyra e kryeministrit e lavdëroi punën e Këshillit.

Ai derisa prezantoi Strategjinë për Ujërat 2017-2036 tha se kjo strategji ka nevojë për përmirësime pasi është hartuar në vitin 2014 dhe është më e ngarkuar, raporton Ekonomia Online.

Ai më tutje bëri të ditur se Kosova ka mungesë të ujit, të resurseve të ujit si dhe, sipas tij, duhet të kenë kujdes në ruajtjen e resurseve ekzistuese.

“Kemi vërejtë se së pari është dashur të ripërkthehet në shqip se baza ka qenë në anglisht. E kemi parë që strategjia është e tejngarkuar në atë kohë kemi ofruar mundësinë që të reduktojmë strategjinë për nja 200 faqe…Është ngarkuar si dokument…”

“Jemi bërë peng të këtij dokumenti … na si shtet jemi në mungesë të ujit të resursit. Na jemi nevojtarë për zhvillimin e resurseve të reja ujore, sepse me këto kapacitete nuk mundemi me i përballu kërkesat. Këto që i kemi duhet me i mbrojtë se s’kemi mjaft ujë. Strategjia tenton me i trajtu këto dyja”.

Lidhur me strategjinë edhe deputetët kishin vërejtjen e tyre. Ata kërkuan nga Begolli përgjigje në çështje të ndryshme.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj tha se mendon se menaxhimi nuk është i suksesshëm, e që, sipas tij, po bën që projektet të dështojnë. Ai tha se në këtë aspekt ka politizim të bordeve, ka humbje të madhe të ujit.

“Mendoj se nuk është menaxhimi i suksesshëm, duhet me hi e ren me i këqyr ku po dështojnë projektet”.

Ndërsa Ganimete Musliu tha se është shqetësuese fakti që në liqenin e Batllavës dhe Badovcit ka numër të madh të mbeturinave. Ajo tha se veçanërisht është shqetësuese prania e shtallave të bagëtive pranë liqenit të Batllavës e që plehrat e tyre, sipas saj, derdhen në këtë liqen.

“Kemi shtalla të bagëtive që jetojnë atje dhe ato plehra derdhen direkt në Batllavë. Për mua është shumë shqetësuese. Duhet një kujdes më i madh në ato vende. Po mendoj që këto dy liqene kanë mbetë jashtë. Këta dy liqene që janë me interes kombëtar nacional duhet të zgjidhen problemet dhe të mbrohen me ligj”.

Kurse anëtari i komisionit, Salih Salihu tha se kësaj strategjie është duke i munguar përmbajtja një planifikim se si të shfrytëzohen resurset.

“Strategjia ishte shumë vulominoze dhe nuk e dimë konkretisht çka përmban por po shihet që nuk ka një përmbajtje që me ia dhënë rëndësinë këtij sektori kaq të rëndësishëm për Kosovën. Rëndësia e këtij sektori është shumë më e madhe sesa që pi merremi ne si shtet. Neve uji na humbet për shkak se nuk kemi akumulime të ujit në Kosovë. Nuk po e shoh që ka që duhet me ndërtu një digë një pengë në rajonin e Vitisë ose rajone të tjera ku mund të bëhen akumulime të tilla”.

Ndërsa, Enver Hoti kërkoi informata lidhur me pagesën e ujit nga kompanitë industriale që, sipas tij, 30 përqind e konsumit të ujit bëhet nga industritë siç është KEK-u, Feronikeli, Sharcemi.

“Mbi 30 përqind e konsumimit të ujit konsumohet nga kompanitë industriale siç është KEK-u, Feronikeli dhe Sharcemi. A ka dallim te pagesat e konsumatoreve dhe ky që e shfrytëzoj për interesan afariste. Mirëpo përkundër kësaj, në raportimin e tij Begolli ishte i rezervuar”.

Përkundër kësaj, ai pranoi se në bordet ka një politizim, raporton EO.

“Me plot zemër i bashkangjitem konstatimit se po ka ndikime politike në borde. Jemi ndër shtetet e vetme që nuk subvencionon kompanitë publike të ujërave. Badovci e Batllava janë të mbrojtur, na nuk mundemi me u ba policë e me kontrollu çka me u ndërtu aty e çka jo. Te mungesa e akumulimeve thashë që kemi mungesë të ujit në disponim”.

Të ngjashme