Ende nuk janë bërë dy vjet prej se Loriana Kuka ka nisur të garojë për Kosovën. Deri në fund të vitit 2016 ajo kishte zhvilluar karrierën në Zvicër dhe e kishte përfaqësuar këtë vend.
Me synim për të ngritur nivelin, që të bëhet xhudiste elitare, ajo kishte lënë Zvicrën dhe ishte vendosur në Pejë, për të punuar nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka. Trajneri Kuka është axha i Lorianës. Garën e parë për Kosovën, Loriana e pati më 4 shkurt 2017 në Sofje. Nuk fitoi medalje në një garë që nuk ishte e nivelit më të lartë, shkruan sot Koha Ditore.
Koha kur Loriana nuk fitonte medalje në gara mesatare duket shumë e largët tani. Ajo ka bërë ngritje të jashtëzakonshme të nivelit për dy vjet punë në sallën e vogël të klubit “Ippon” në Pejë. Janë rezultatet ato që e dëshmojnë ngritjen e nivelit të Lorianës. Tashmë medaljet priten vazhdimisht prej saj. Dhe jo në gara mesatare, por në ato të nivelit të lartë.