Me qasjen që ka Kurti në dialog, nuk pres kurrfarë marrëveshje Kosovë-Serbi

Prishtinë | 20 Jan 2023 | 22:10 | Nga Enver Hoxhaj

Vizita e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë tregon se partnerët strategjikë të Kosovës duan që dialogu të hyjë në një fazë të re, me një shpejtësi tjetër për të krijuar momentum për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë!

Por, kur dëgjon qëndrimet publike të Kurtit, shihet se ai nuk ka qartësi, as vendosmëri dhe as qëllime të qarta sa i takon rezultateve në dialog! Ai nuk ka bërë as zotim serioz dhe as përkushtim të mirëfilltë ndaj dialogut!

Kjo është politikë e blerjes së kohës dhe kjo është e dëmshme për Kosovën për arsye të matshme. SHBA, Franca, Gjermania, Italia sëbashku me BE-në kanë qenë grupi i shteteve vendimmarrëse për Kosovën dhe lindja e Kosovës si shtet i pavarur nuk do të ndodhte pa përkrahjen e tyre.

E, edhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës varet direkt nga ta, sikurse anëtarësimi në organizata evropiane, nga Këshilli i Evropës, NATO-s, BE-së dhe më gjerë.

Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e vështirë për shkak të historisë, por edhe për shkak të një politikeje armiqësore që po ndjek ende Serbia ndaj shtetit tonë! Mirëpo, vetëm në bashkëpunim me partnerët perëndimorë ne mund ta përmbyllim shtetësinë tonë me anëtarësim në OKB, ku, dialogu duhet t’i shërbejë Kosovës dhe jo Serbisë!

Pse i duhet Kurtit besimi qytetar, legjitim dhe pozita e kryeministrit nëse ai nuk ka guxim, vullnet dhe nuk bën asnjë veprim politik për të mbyllur tema të mëdha sikurse marrëveshja për njohje të ndërsjellë me Serbinë?!

Me qasjen që ka Kurti në dialog nuk pres kurrfarë marrëveshje Kosovë-Serbi, as atë për njohje të ndërsjellë. Ai ka vetëm një diskurs agresiv retorik, gjoja duke u treguar i fortë para partnerëve perëndimorë dhe duke thënë që Serbia nuk do marrëveshje. Kurti s’ka as politikë, as qëllim dhe nuk do të ketë asnjë rezultat!

Të ngjashme