Me shkurorëzim, Bill Gates mund të mos renditet më si ndër më të pasurit e botës

Prishtinë | 04 Maj 2021 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Multimiliarderi Bill Gates dhe bashkëshortja e tij Melinda Gates njoftuan të hënën se kanë vendosur të shkurorëzohen. Njoftimi u bë lajm viral në botë, ndërsa fokusi tash është kthyer te ndikimi i shkurorëzimit si në jetën e tyre personale, por edhe të ndikimit që do të ketë në industrinë e teknologjisë dhe ndarjen e pasurisë miliardëshe.

Çifti, që po ndahet pas 27-vjetësh martesë, ka pasuri 146 miliardë dollarësh. Ata s’bënë publike planet e ndarjes financiare, por u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin në filantropi.

Bill Gates, 65-vjeçar, themeluesi i “Microsoftit”, pozicionohet në vendin e katërt të njerëzve më të pasur në botë. Melinda 56-vjeçare është ish-menaxhere në “Microsoft”. Ajo u bë e njohur pasi udhëhoqi Fondacionin “Bill & Gates”. Tashmë ka dhuruar mbi 50 miliardë dollarë. Një zyrtar i fondacionit ka thënë se Bill dhe Melinda do të mbesin bashkëpronarë të fondacionit.

Shkurorëzimi i çiftit Gates është i dyti që preku më të pasurit në botë, pas ndarjes së befasishme të Jeff Bezosit dhe MacKenzie Scott, më 2019. Ajo ndarje e bëri MacKenzien një nga njerëzit më të pasur në botë dhe kjo nxiti raportimet për ndarjen e pasurisë së Billit dhe Melindës.

Te çifti, që sapo ka njoftuar për shkurorëzimin, ndarja e pasurisë është më sfiduese, sipas “EconomicTimes”.

Vlera e pasurisë së Bill Gatesit, me origjinë nga aksionet në gjigantin softuerik “Microsoft”, tani zë më pak se 20 për qind të vlerës totale të pasurisë. Shumica e pasurisë është derdhur në fondacionin për ndihma. Vlera e pasurisë së saktë të Gatesit në “Microsoft” s’është e ditur që kur ai u largua nga bordi vitin e shkuar.

Aseti më i madh i tij është kompania aksionare “Cascade”, të cilën Gatesi e krijoi me shitjen e aksioneve të “Microsoftit”.

Monica Mazzei, një avokate e njohur për shkurorëzime, ka thënë se pikëpyetja më e madhe është për fondacionin dhe zyrën e familjes, nëse ish-çifti planifikon të vazhdojë punën bashkë. Ndërkaq, avokatja Janet George thotë se me ligj nuk është e caktuar që pasuria të ndahet përgjysmë. Madje sipas saj, publiku mund të mos e mësojë kurrë ndarjen e pasurisë së njeriut që ishte më i pasuri në botë për shumë vjet.

Bill e Melinda kanë tre fëmijë.

Ata u takuan për herë të parë në vitet e ’80-a në “Microsoft”.

Të ngjashme