Senad Gashi të enjten fitoi mundësi të madhe për të boksuar ndaj një boksieri të nivelit të lartë. Gashi të shtunën mbrëma pësoi me nokaut teknik në raundin e shtatë nga Carlos Takam, ndërsa shpreson të përfitojë nga paraqitja që kishte në O2 Arena të Londrës.
Por Gashi i është shtuar listës së boksierëve shqiptarë që kanë dështuar në meçet e tyre më të mëdha në karrierë. Disa e kanë mbyllur karrierën pa pasur raste tjera si ato që nuk i kanë shfrytëzuar e disa presin për raste tjera të mëdha, shkruan sot Koha Ditore.
Gashi 28-vjeçar ende nuk është ndonjë emër i madh i ringut. Por boksieri i kategorisë së rëndë vendosi të pranonte të enjten mundësinë që të boksonte me Takamin, ndonëse nuk kishte përgatitjet e duhura. Dhe ashtu si pritej, pësoi. Ai ka 17 fitore e dy humbje në boksin profesionist, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë emër të madh përballë. Takami është i pari.
Këtë vit një rast të madh e pati edhe Sefer Seferi. Më 9 qershor në Manchester ai luftoi ndaj yllit Tyson Fury, në meçin e kthimit të britanikut. Por Seferi nuk shfaqi thuajse asgjë dhe humbi me dorëzim në raundin e katërt.