Media serbe: Teksti i Marrëveshjes së Brukselit demanton Beogradin

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 12:46 | Nga

Autoritetet serbe nuk do të duhej të ishin të shokuara me deklaratën e zëdhënëses së BE-së Maja Kocijançiç se Asociacioni i Komunave serbe do të formohet në përputhje me ligjet e Kosovës.

Për shkak se, siç shkruan sot gazeta e Beogradit “danas”, në pikën e katërt të Marrëveshjes së Beogradit e Prishtinës thuhet: “Në përputhje me kompetencat sipas Kartës europiane për administrim lokal dhe ligjit të Kosovës, komunat që marrin pjesë kanë të drejtë të bashkëpunojnë në zbatimin kolektiv të kompetencave të veta sipas AKS-së”, kanë thënë bashkëbisedues të kësaj gazete duke komentuar mesazhin e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se në Marrëveshjen e Brukselit shkruan se AKS do të formohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe se është i befasuar me deklaratën e Kocijançiçit për këtë, transmeton Koha.net.

Diplomatë dhe ekspertë për çështjen e Kosovës përkujtojnë se në Marrëveshjen për AKS –në, nënshkruar më 25 gusht 2015 thuhet: “Asociacioni /Bashkësia e Komunave serbe në Kosovë krijohet si asociacion/bashkësi e komunave ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe ligjeve të Kosovës”.

Megjithatë, burime të kësaj gazete jo zyrtarisht thonë se ka paqartësi në Marrëveshjen e parë të Brukselit të nënshkruar para pesë vjetësh, gjë që iu mundëson Beogradit e Prishtinës që në mënyra të ndryshme të interpretojnë dispozita që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave serbe. Në këtë kontekst, theksohet dispozita që thotë : “Garancitë ligjore (për themelimin e AKS-së) do të sigurohen përmes ligjit përkatës dhe Ligjit Kushtetues ”.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, cili në cilësinë e kryeministrit të Serbisë në prillin e vitit 2013, me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës e kryetarin aktual të saj Hashim Thaçi, ka nënshkruar marrëveshjen, nuk është përgjigjur në pyetjen e kësaj gazete nëse fjala është për paqartësi të qëllimshme, përkatësisht se a është fjala për ligjin e Serbisë apo të Kosovës, transmeton Koha.net.

Nga ana tjetër, Borko Stefanoviq, lider i të Majtës në Serbi dhe ish- shef i ekipit të Beogradit në negociata me Prishtinën, ka thënë se “fjala është për referencën mbi ligjin e Kosovës, pasi Serbia nuk mund të bëjë ligj që duhet zbatuar në territorin që nuk e kontrollon me vendimin e kësaj Qeverie“.

Atyre (autoriteteve serbe) natyrisht se u duket e pakëndshme dhe nuk pëlqen që qytetarëve t’ua thonë haptas e çfarë kanë pranuar. Negociata gjithmonë zhvillohen për vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu ka qenë që nga viti 1999, thotë Stefanoviq, me vërejtjen se në “pikën të Marrëveshjes së Brukselit shkruan qartë se AKS është në kuadër të sistemit të Kosovës “.

Nikola Burazer, drejtori programues i Qendrës për politikë bashkëkohore thotë se edhe në Marrëveshjen e Brukselit e edhe në Marrëveshjen për AKS thuhet se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Ligjin e Kosovës

“Megjithatë, kanë mbetur çështje e hapura a bëhet fjalë për ligjet në fuqi të Kosovës apo për ligjet që Prishtina duhet t’i miratojë ose t’i ndryshojë në mënyrë që Asociacioni të themelohet në përputhej me marrëveshjen”, sqaron Burazer.

Ekspertë për çështje rajonale thonë se gjashtë nga 15 pikat e Marrëveshjes së Brukselit kanë të bëjnë me themelimin e AKS-së, ndërsa pesë vjet pas nënshkrimit, Beogradi dhe Prishtina edhe më tej kanë pikëpamje të kundërta për kompetencat e tij – derisa Prishtina pohon se duhet të jetë OJQ që do të promovojë bashkëpunimin ndërmjet dhjetë komunave me shumicë serbe në fushën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit, planifikimit rural e urban dhe të zhvillimit ekonomik, por që të mos i marrin kompetencat nga komunat ekzistuese por vetëm t’i përplotësojnë ato, Beogradi mendon se AKS duhet të bëhet trup politik me kompetenca për marrjen e vendimeve në fushata e theksuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme