Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini, është larguar nga takimi i Këshillit të MSA-së për shkak të një kërkese të bërë aty nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai ka kërkuar që të rritet pjesëmarrja e SHBA në procesin e dialogut të Beogradit dhe Prishtinës.
Po sipas tyre, këtë Mogherini e ka marrë personalisht, dhe është larguar nga mbledhja e Këshillit, përpara se të përfundojë.
Ndërkaq siç shkruan Tanjug, i informuar nga burimet e Brukselit, mesazhi i BE-së për kryeministrin Haradinaj është se Kosova duhet të angazhohet seriozisht për një perspektivë të saj evropiane dhe të shfrytëzojë rastin që ka rajoni në kontekstin evropian të perspektivës.
Sot më herët ishte anuluar edhe një konferencë për media e BE-së, e Federika Mogherinit dhe Ramush Haradinajt, që ishte planifikuar pas përfundimit të Këshillit për MSA.
Shpjegimi zyrtar i palës europiane ishte se arsyeja për anulimin ishte “çështja e agjendës”.