Murat Meha, kryetar i Komisionit Shtetëror për demarkacionin, gjatë debatit ka prezantuar hartat e përdorura për demarkacionin me Malin e Zi.
Ai ka prezantuar llojet e ndryshme të hartave që janë përdorur për ta shënuar vijën kufitare të Kosovës. Meha ka prezantuar hartat topografike 1 me 25 mijë, e cila është harta më bazike, derisa ka shtuar se janë përdorur edhe hartat 1 me 300 mijë.
“Kemi hartat pasqyrë të vitit 1973, të cilat janë në shkallën 1 me 200 mijë që tregojnë të gjitha hartat që mbulojnë në mënyrë ligjore territorin e Kosovës”, ka thënë ai gjatë prezantimit.
Meha gjithashtu ka prezantuar hartat e Malit të Zi të vitit 1972 dhe vitit 1988.
Anëtarët tjerë të Komisionit, Besim Kajtazi dhe Shaban Guda, kanë sqaruar procedurat, bazën ligjore dhe aspektin e sigurisë për demarkacionin me Malin e Zi.
Meha: Garantoj se Kosova s’ka humbur asnjë centimetër
Murat Meha, kryesuesi i Komisionit të Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi, fillimisht sqaroi kompetencat që kishte komisioni dhe përbërjen e tij. Ai po ashtu rikujtoi sipërfaqet që kanë Kosova dhe Komuna e Pejës, të cilat sipas tij janë po ato që ka pasur para demarkacionit.
Komisioni tha ai ka kryer detyrën në përputhje me udhëzimin nga Qeveria dhe me përgjegjësi e profesionalizëm. Përmendi bashkëpunimin me institucionet relevante të vendit dhe ato lokale – të Pejës, Deçanit, Istogut, Junikut.
“Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit ka mbajtur 16 takime bilaterale me komisionin përkatës të Malit të Zi. 20 takime me qytetarët dhe kryetarët e komunave kufitare me Malin e Zi. Me ta është arritur pajtimi i plotë”, tha ai.
Meha përmendi edhe sulmet fizike që iu kanë bërë atij nga përfaqësues subjektesh të caktuara gjatë raportimit zyrtar për punën e Komisionit në shënjimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe në rrugë.
Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk ka ndryshuar territor, as kufij të Kosovës, as të komunave. Komisioni garanton se nuk ka asnjë provë që ka mbetur në anën e Malit të Zi qoftë edhe një centimetër tokë e Kosovës.