Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, raporton Ekonomia Online.
Ministri Mehaj për veten e tij tha se është i përkushtuar “200 për qind” për ushtrinë e Kosovës dhe se objektiv i tij mbetet anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ai tha se rruga për anëtarësimin në NATO është i pakthyeshme dhe e drejtë.
“Prej ditës së parë e deri sot nuk kemi të ndalur. Treni po ecën, nuk do të ndalet. Kështu siç ju them të gjithëve, mbështetna sepse jemi të pakthyeshëm”, tha Mehaj, duke iu përgjigjur pyetjes së njërit prej anëtarëve të Komisionit.
Mehaj shtoi se kanë nënshkruar 15 memorandume bashkëpunimi, por megjithatë ai tha se ka ende hapësirë për thellim të bashkëpunimit me NATO-n.
“Ndër objektivat e mia si ministër është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Intensifikimi me shtetet e NATOS, dhe vizitat e shumta, kemi qëllim të shumëfishta, përveç si vizitë si ministër i Mbrojtjes e shfrytëzoj edhe për dërgim të mesazheve të vullnetit të Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare”.
“Në kuadër të kësaj jam takuar me të gjithë ambasadorët në rajon. Ministria e Mbrojtjes ka të nënshkruar 15 marrëveshje të memorandum bashkëpunimit. Marrëveshjet ‘Sofa’ mundësojnë aktivitetet e përbashkëta, ku gjithsej kemi nënshkruar 3 marrëveshje. Ka ende hapësirë që ndërveprimi me NATO të thellohet”.
Për anëtarësimin në NATO, Mehaj tha se kanë formuar një ekip që ka njohuri për këto procese, derisa tha se ka shumë shembuj për të marr nga vendet tjera.
Ndërsa për ambasador në NATO, ai tha se ende nuk janë në proces të zgjedhjes.
“Kemi shumë mundësi, dhe kemi formuar një ekip që si duhet të jemi në këtë procese dhe udhëtimi jonë duhet të jetë i drejtë dhe i pakthyeshëm”.
“Për ambasador në NATO nëse nuk jemi në proces të zgjedhjes së këtij pozicioni”.
Mehaj gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka thënë se Ushtria e Kosovës do të jetë krah për krah me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo mision që u kërkohet.
“Kur ka nevojë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të jemi krah për krah për ta, në çdo mision që kërkohet nga ne, se kjo e dëshmon edhe gatishmërinë edhe profesionalizimin që e kanë pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh Mehaj.
Ai ka veçuar Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, raporton EO.
“E veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit më e rëndësishmja është anëtarësimi në NATO dhe për këtë kemi vullnet dhe gatishmëri si Qeveri”.
“Kemi 127 pjesëtarë jashtë vendit duke u trajnuar, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar është i shkëlqyeshëm dhe jo vetëm me partnerët e NATO-s”, tha Mehaj, gjatë raportimit në Komision.
Kryetari i Komisionit, Haki Abazi ka pyetur Mehajn, se në cilat faza të partneritetit ndodhen.
“Në cilën fazë të procesit për partneritet jemi”.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka pyetur Mehajn se çfarë bashkëpunimi kanë me MPJD-në.
“Cili është bashkëpunimi juaj me Ministrinë e Punëve të Jashtme? Ne duhet që për anëtarësim duhet të kemi ambasadorë në NATO. Në bazë të rregullave ne i kemi katër shtete anëtarë që nuk na njohin, a keni ndonjë strategji se si do t’i qaseni anëtarësimit në NATO”.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka pyetur se në cilat organizata ndërkombëtare do të aplikojnë për anëtarësim, raporton Ekonomia Online.
“Sa jeni të përgatitur në këtë drejtim a keni lobim të mjaftueshëm? A jeni përgatitur si Qeverie dhe në cilat organizata do të aplikoni”.
Pas pjesës së hapur, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, e mbylli për publikun raportimin e ministrit të Mbrojtjes.
“Unë e kisha mbyll këtu sesionin për publikun dhe vazhdojmë për një periudhë kohore me diskutimet dhe pyetjet që mund të kenë anëtarët e Komisionit”, tha Abazi.