Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka vizituar Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me ushtruesin e detyrës së drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku, Mehmeti në një konferencë për medie tha se pandemia ka ndikuar edhe në sektorin e sigurimeve.
Sipas tij, janë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron kartonin e gjelbër, por që pengesë mbete mosanëtarësimi në OKB.
“Ashtu siç e gjithë bota masat e ndërmarra kanë ndikuar negativisht në rënien e aktiviteti ekonomik dhe pandemia e ka goditur edhe industrinë e sigurimeve”.
“Vitet e fundit vërehet një përmirësim të këtij sektori dhe masat e marra të BQK-së kanë qenë efektive. Gjatë viti kemi një rënie të shpenzimeve me 13%”.
“Sa i përket dëmeve të paguara bruto arritën diku rreth 46 milionë euro dhe kjo është aplikimi i masave kufizuese të lëvizjes. Aksidentet në të shumtën e rasteve vinë nga automjetet e pa siguruara”.
“Sa i përket kartonit të gjelbër të gjitha kushtet janë plotësuar, mirëpo pas dorëzimit të aplikacionit ka ndodhur një pengesë që Kosova mos të jetë anëtarë si rezultat e mospranimit në OKB”.
Zëvendësguvernatori, Sokol Havolli, tha se BQK-ja për një periudhë të konsiderueshme ka përgatitur terrenin për të marr reforma në kompaninë e sigurimeve.
Deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 euro.