Meliza Haradinaj-Stublla shtyn vizitën në Serbi

Prishtinë | 21 Nën 2020 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shtyrë vizitën e paralajmëruar për në Serbi, për të parë nga afër varrezën masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës që u gjet në Kizhevak.

Megjithatë, ajo ka refuzuar kërkesën e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë serbë për vizitë në Kosovë duke thënë se kërkesa e tij në një kohë të tillë kur po rihapen plagët e luftës është ofendim më shumë sesa provokim për Kosovën.

“Meqë institucionet e Kosovës të angazhuara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, tanimë kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë dhe do të jenë aty gjatë javës së ardhshme, edhe vizita e paralajmëruar e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Meliza Haradinaj-Stublla, shtyhet për një kohë tjetër”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Shtyrja e vizitës së ministres Haradinaj ndodhi për shkak se Serbia vendosi që zhvarrosjen e trupave të shqiptarëve të gjetur në një terren të vështirë në Kizhevak, të bëhet javën tjetër.

Kryediplomatja kosovare ka thënë se pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta shohë nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale “për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme