Krasniqi viziton organizatat NDI dhe IRI në Washington: Vizioni i PDK-së për gratë dhe rininë u vlerësua lart

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 22:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitës zyrtare në Washtington DC, sot ka zhvilluar takime edhe në Institutin Nacional Demokratik (NDI) dhe Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Krasniqi, në një postim në Facebook i ka vlerësuar këto dy Institute me të cilat PDK bashkëpunon për një kohë të gjatë, si organizatat më të rëndësishme për avancimin e lirisë dhe demokracisë në mbarë botën, përmes asistencës konkrete që u japin partive politike.

“Si Institute të cilat merren shumë me rritjen e rolit qytetar në procesin politik, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë, bashkë diskutuam për nismat e fundit të PDK-së që kanë të bëjnë pikërisht me këto dy kategori”, shkruan ai.

Sipas Krasniqit, në këto takime u vlerësua lart vizioni dhe i PDK-së për barazi të plotë gjinore, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë dhe fuqizimi i platformës së rinisë si gjenerator i reformave politike.

“Drejtuesit e këtyre dy Instituteve i falënderova për bashkëpunimin dhe kontributin e çmuar që po vazhdojnë të japin për demokratizimin e shoqërisë tonë në Kosovë”, është shprehur ai.

Lideri i PDK-së dhe i opozitës, Memli Krasniqi gjatë qëndrimit në Washington do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë dhe personalitete me rëndësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme