Memli Krasniqi viziton Brukselin: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, dhe Sekretari për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku, ka takuar sot në Bruksel Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtij takimi, Krasniqi dhe Lajçak kanë diskutuar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, si lidere e opozitës, karshi këtij procesi të rëndësishëm për dy shtetet dhe për rajonin.

Kryetari Krasniqi e ka ritheksuar se PDK, si parti shtetformuese, e mbështetë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Emisarin Lajçak e falënderova për angazhimin e tij në këtë proces delikat dhe potencova se çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të mos e cenojë tërësinë territoriale, intergritetin dhe sovranitetin e vendit.”, tha Krasniqi.

Gjatë vizitës në Bruksel, kreu i PDK-së ka takuar edhe Zëvendës Drejtorin për Europë në Shërbimin Europian për Veprimit të Jashtëm, Marko Makovec, ku kanë diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të Kosovës me Bashkimin Europian në çështjet politike, përfshirë zbatimin e MSA-së dhe rekokandimet e Raportit për Vendin.

Kreu i PDK-së ka thënë se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është synim i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Europian të jetë më proaktiv në këtë proces në mënyrë që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane të ndodhë sa më parë.

Të ngjashme