Është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet komunës së Prishtinës dhe Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) lidhur me zhvillimin e pjesës së projektimit, ekspertizës dhe mbështetjes që të bëhet mbrojtja, promovimi dhe konservimi i trashëgimisë kulturore në komunën e Prishtinës, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga komuna e Prishtinës qëllimi i memorandumit të nënshkruar është projektimi i një rruge model për Qendrën Historike të Prishtinës, hartimi i planit të konservimit për Qendrën Historike të Prishtinës ku do të përcaktohen kufijtë e Qendrës dhe të ofrohet mbështetje e përgjithshme në fushën e trashëgimisë kulturore përmes projekteve që lidhen me promovimin e trashëgimisë kulturore në komunën e Prishtinës, si dhe në projektet që ndërlidhen me turizëm, arkitekturë dhe historik në qytet.