Pa u larguar ende nga toka shqiptare, pluhuri dhe zhurma, po përpiqet të mbulojë vizitën pozitive dhe pozitiviste të presidentit francez në Shqipëri. Shumica e komenteve, janë provokuar nga një paralajmërim që Macron bëri në lidhje me vizat për Republikën e Kosovës. Mirëpo kjo deklaratë, e diskutueshme dhe që do të diskutohet gjatë, nuk errëson aspak thelbin e vizitës misionare që sapo kreu Macron. Në konferencën e tij të përbashkët për shtyp me kryeministrin mikpritës shqiptar, ishte pak të themi mahnitës për dy arësye kryesore:
Së pari pranoi hapur skeptiçizmin e tij të dikurshëm, për moszgjerimin e Bashkimit Europian me vënde të tjera, përfshirë vende të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Shqipërinë. Porse po aty, brenda së njejtës përgjigje të hapur, ku pranoi skeptiçizmin e dikurshëm, Macron shpalosi një vizion të ri, që askush nuk po e analizon dhe nuk po e nënvizon, pse jo, me gëzim. Kreu i Francës, shpalosi në Tiranë një pothuaj Doktrinë të re europianiste, vullnetin politik dhe gjeopolitik për zgjerimin e BE-së, edhe me vëndet tona problematike.
Macron pothuajse ulëriti (me elegancën e tij të rafinuar) se ka ardhur koha (kohë politike dhe gjeopolitike) që Europa të bëhet e gjitha bashkë, sepse sot, krejt ndryshe nga dje, Europa ndjehet e kërcënuar në kufinjtë e afërt të saj. Dhe pra, Europa nuk e ka lluksin të lerë jashtë saj, vënde europiane, të cilat në një mënyrë apo tjetër, ja shtojnë fuqinë dhe i blindojnë kufinjtë e jashtëm.
Ai, pothuajse pohoi se anëtarësimi në BE, është tashmë një Vullnet i Ri, që po farkëtohet në Paris dhe Berlin, nga nevoja për të qenë të gjithë bashkë! Dhe kjo është padyshium një Frymë e Re, që të bën të ndjehesh mirë si një shqiptar halleshumë…
Së dyti, Presidenti i Francës, në Tiranë bëri një “revizionim” të rëndësishëm të Politikës së saj të jashtme. Për herë të parë, së paku publikisht, Macron vuri në të njejtin rrafsh Serbinë dhe Kosovën. Neve kjo mund të na duket “pak”, por për Francën dhe miqësinë e saj, së paku 150-vjeçare me Serbinë, ky barazim është një sukses për botën shqiptare!
Është një “barazim”, që do të thotë se Franca nuk është më një “barrikadë” proserbe. Mos harroni se veriun e Mitrovicës, NATO ja la në mirëbesim francezëve për shumë vite, për tu bërë qejfin serbëve.
Rrënjët e miqësisë franceze me botën sllave janë të thella, janë kulturore dhe gjeopolitike. Qëkur Napoleon Bonaparti sulmoi Rusinë cariste, aristokracia ruse parapëlqente të fliste frengjisht dhe kultura arkitektonike franceze kishte shkëlqimin e vet në Shën Petersburg apo në Moskë. Në Luftën e Parë Botërore, Rusia e shpëtoi Francën nga gjermanët duke hapur frontin e dytë në Lindje dhe duke ndalur ofensivën e Kaizerit gjerman. Edhe asokohe, edhe Mbretëria serbe ishte në krahun e Francës dhe Rusisë. Dhe pra lidhjet e thella kulturore, ndërkohë kishin marrë edhe vlerë gjeopolitike. Dhe kjo u përsërit deridiku edhe në Luftën e Dytë. Shqipëria dhe shqiptarët, kanë hyrë vonë në universin frankofon, nuk them për faj të shqiptarëve, pasiqë francezët e kishin zgjedhur ndërkohë Beogradin si të përzgjedhurën e tyre në Ballkan.
Porse sot diçka e madhe po ndryshon! Dhe dukshëm Presidenti Macron ka vulën e tij presidenciale. Personalisht uroj që nisma dhe qëndrimi i tij miqësor ndaj shqiptarëve të jetë vijimësi e Politikës së Jashtme franceze, për shumë e shumë vite. Do të ishte një pasuri e madhe gjeopolitike për Kombin Shqiptar.
Mirëpo ndërkohë, Bota shqiptare duhet të mos metabolizojë vetëm ushqimin toksik e depresiv të dyshimit të paarësyeshëm!
Macron erdhi si mik, sepse donte të shpaloste në Tiranë këto dy qëndrime krejtësisht të reja në të gjitha drejtimet.
Dhe e bëri në mënyrë elegante dhe të vendosur, kjo është dhe mbetet një meritë e rëndësishme dhe e gëzueshme. Sepse në inventarin tim të dijeve, nuk di nëse kemi bërë ndonjëherë ndonjë sakrificë për Francën që ta pretendojmë mbështetjen e saj të pakushtëzuar.
Zoti i ruajtë shqiptarët, kudo që ata jetojnë dhe mëtojnë, nga folklorikët me pak klasë shkollë dhe me shumë delir të paarsyeshëm! Të tjerat janë fjalë ose me duhma rakije, ose me kalkulime të ngushta e të pahijshme politike…