Takimi i së premtes mes presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, po shihet si një lloj presioni ndaj Beogradit zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky të paktën është vlerësimi nga diplomatë dhe ekspertë nga Serbia dhe Gjermania për çështjet e rajonit, transmeton lajmi.net.
“Berlini do të vazhdojë të bëj presion ndaj Serbisë për problemin me Kosovën, dhe është e pamundur të mos mendohet që Merkel nuk do t’i kujtojë Vuçiqit detyrat që ai nuk i ka përmbushur. Në anën tjetër është e qartë që Vuçiq nuk është i gatshëm të bëj lëshime të reja”, thuhet nga njohës të rrethanave politike.
Franz Lothar Altman, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, thotë për “Danas” se ai “nuk pret që Merkel t’i thotë ndonjë gjë të re Vuçiqit, por do t’i përkujtojë atij sërish, që Gjermania nuk do ta përkrah rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje e pranueshme mbi Kosovën”.
“Kjo do të thotë që Merkel do ta inkurajojë Vuçiqin që të përqendrohet më shumë në negociatat me Kosovën, dhe të bindë qeverinë e Serbisë që mos të flasë e veprojë në atë mënyrë që do të rrezikonte marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Në të njëjtën kohë, Merkel do të shpreh edhe njëherë angazhimin e saj që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor të jetë në Bashkimin Evropian, ajo me siguri do të përmend edhe Samitin e radhës në Sofje të Bullgarisë, ku Prishtina duhet të pranohet si një pjesëmarrës me të drejta të plota”, thotë Altman.
Nga ana tjetër, Dusan Janjiq, kryetar i forumit për marrëdhëniet ndëretnike, thotë se takimi në Berlin “do të jetë shumë i frytshëm për Serbinë, dhe për Vuçiqin personalisht”.
“Ky është një moment mjaft i ndjeshëm, sepse situata është ndryshe tani nga korriku i vitit të kaluar kur Vuçiq mori iniciativën për dialogun e brendshëm për Kosovën. Beogradi ka lëvizur nga koncepti për normalizimin e raporteve me Kosovën, të cilat disa i kanë quajtur modeli i dy Gjermanive. Deklaratat e fundit të autoriteteve serbe, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, po ashtu edhe presidentin Vuçiq, shfaqin mospajtime të mëdha ndaj politikës së Berlinit. Një pikë ndalese, natyrisht që duhet të jetë edhe siguria, sepse për herë të parë pas 20 vjetësh në Kosovë po përmendet fillimi i një lufte të re, që është e papranueshme për Gjermaninë. Me gjithë raportet e mira të Vuçiqit me Gjermaninë, presidenti serb do të rikthehet përsëri në hapat e vegjël të normalizimit të raporteve të Prishtinës me Beogradin”, thotë Janjiq.
Ndryshe, Gjermania përkrah anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Beogradi e kundërshton fuqishëm këtë ide, ndërsa pritet që edhe kjo pjesë të jetë pikë diskutimi.