Kancelarja gjermane, Angela Merkel planifikon që të ngrisë çështjen e migrimit të paligjshëm dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Senegalin, Ganën dhe Nigerinë, gjatë turneut në Afrikën Perëndimore, që do ta zhvillojë javën e ardhshme.
“Afrika ka shumë konflikte dhe disa njerëz po largohen nga kushte shumë të vështira. Por, gjithashtu e dimë se në anën tjetër, shtetet afrikane mund të jenë mundësi e mirë për marrëdhënie tregtare. Shtetet tjera janë shumë aktive në këto vende”, tha Merkel, në një video të publikuar sot, raporton DPA.
Senegali, Gana dhe Nigeria, sipas kancelares Merkel, përballen me pengesa të mëdha dhe kanë rol të rëndësishëm në gjetjen e zgjidhjeve për konfliktet në rajon.
“Ne duhet t’i mbështesim këto shtete, veçanërisht kur bëhet fjalë për perspektivat ekonomike”, tha Merkel.
“Është e rëndësishme që kushtet e investimeve të jenë të besueshme, në mënyrë që përfaqësuesit e industrisë gjermane të kapin shanset e tyre që të futen në tregun afrikan”, shtoi kancelarja Merkel.
Kancelarja Merkel do të nisë turneun e saj treditor në Afrikën Perëndimore të mërkurën. Në këtë udhëtim, ajo do të shoqërohet nga një delegacion i zyrtarëve ekonomikë.