Kancelarja gjermane Angela Merkel, pas takimit me homologen e saj, Theresa May, tha se marrëveshja e BREXIT duhet të arrijë një ekuilibër kur vendi do të dalë nga tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian (BE), por që duhet të mbajë lidhje të forta ekonomike me Unionin, shkruan Telegrafi.
Merkel tregoi një qasje optimiste në bisedimet e divorcit ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe, të cilat ajo i përshkroi si konstruktive dhe miqësore, ndërkohë që Britania ka kohë një vit të shkëputet zyrtarisht.
“Ne pendohemi për BREXIT, por do t’i drejtojmë negociatat në mënyrë që të kemi një partneritet të afërt me Britaninë pas daljes, ekonomikisht dhe politikisht”, tha shefja e qeverisë gjermane.
Gjithashtu, May po kërkon lidhje të forta pas BREXIT, por deri më tani nuk ka pasur shumë përafrime për marrëdhënien e vendeve pas marsit të 2019-së.
Britania synon të negociojë një marrëveshje tregtare me BE që ruan nivele të larta të qasjes në tregun e përbashkët evropian. Nga ana tjetër, BE ka bërë të ditur se Britania do të humbasë qasjen nëse i qëndron planeve për të kufizuar lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe nëse nuk pranon të jetë nën juridisksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
May tha se kërkon një marrëveshje për BREXIT që është pozitive për kompanitë vendore dhe pjesën tjetër të BE-së.
“Kërkoj që kompanitë britanike të kenë maksimumin e lirisë për të tregtuar dhe operuar brenda tregjeve gjermanë dhe e njëjta gjë për bizneset gjermane në Britani”, tha May.