Merkel: Shanset nuk janë shumë të mira për hapjen e negociatave

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Gjermania ende kërkon gjetjen e një pozicioni të përbashkët me Francën për hapjen e negociatave. Presidenti Emmanuel Macron, që kundërshton hapjen e tyre përmend numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.

BREXIT do të jetë tema qendrore në samitin dyditor të Bashkimit Evropian që fillon të enjten në Bruksel. Arritja e një marrëveshje në minutën e fundit po kërkohet intensivisht nga të dyja palët. Megjithëse BREXIT nuk qëndronte në axhendën e ditës ai do të sundojë orët e debatit që ishin planifikuar për buxhetin e BE-së për vitet e ardhshme. Me interes pritet po ashtu se si do të pozicionohen vendet e BE në deklaratën e përbashkët të samitit për Turqinë dhe ofensivën në Siri.

Një temë tjetër në samit është edhe grindja në BE për çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Me veton që vuri Franca në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të martën i ktheu kundër shumë vende anëtare që e kërkojnë çeljen e negociatave. Kjo temë u diskutua edhe në takimin mes Merkelit dhe Macron në Tuluzin francez, ministrat e të dy vendeve nënshkruan projekte të përbashkëta në drejtim të politikës së mbrojtjes.

“Si Gjermania edhe Franca janë ende duke punuar për të gjetur një pozicion të përbashkët deri në samitin e BE, që duhet të miratohet edhe nga vende të tjera”, tha Merkel.

Por në deklaratën qeveritare të enjten në Bundestag, para largimit në Bruksel, Merkel tha se, “më duhet t’iu them se shanset nuk janë shumë të mira”.

Në përgjithësi, Merkel e vlerësoi samitin në Bundestag si të pasugurt në rezultatet e tij.

“Nuk mund të them se si do të përfundojë ky samit”, tha ajo.

Një ditë më parë Merkel i kishte relativizuar pohimet, se mes Gjermanisë dhe Francës ka diferenca të mëdha në drejtim të perspektivës së anëtarësimit të të dy vendeve ballkanike.

“Të dyja palët e mbështesin perspektivën e anëtarësimit”, tha Merkel në Tuluz të mërkurën.

Ajo e mbështet madje dëshirën e Francës për një reformim të procesit të anëtarësimit që duhet të jetë transparent dhe i kthyeshëm në rast të zhvillimeve negative. Sipas Merkel, bisedimet e anëtarësimit duhet të fillojnë, kur të sqarohen çështje të caktuara.

“Por në këtë rrugë ka disa nuanca të ndryshme”, tha ajo.

Presidenti Macron i vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

“Këtë herë do të zgjasë pak më gjatë deri sa të fillojnë negociatat”, tha ai. Macron, i cili deri më tani, kundërshtimin e tij e kishte argumentuar me thellimin e BE para zgjerimit, pranoi në konferencën e shtypit me Merkel edhe arsye të brendshme që e bëjnë Francën të hezitojë.

“Shqiptarët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Francë, në këto kushte është e vështirë t’i shpjegosh popullit, se duhen filluar negociatat me këtë vend”, tha Macron.

Më parë edhe kreu i Dhomës Lindore të Tregtisë të Ekonomisë Gjermane, Michael Harms ishre shprehur për fillimin e shpejtë të bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ai paralajmëroi për ndryshimin e atmosferës në këto vende që janë shumë proevropiane.

Më parë kishte pasur zëra që shprehnin zhgënjimin e Gjermanisë për rezistencën e Francës kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shtetit për Evropën, Michael Roth, u shpreh, se nëse BE nuk ia del dot të rrisë prezencën Ballkan, rrezikon një vakuum pushteti që mund të mbushet nga fuqi të tjera.

“Gjermani është ‘shumë e zhgënjyer’ që nuk mund të mbahet ajo që është premtuar disa herë”, tha Roth. Sepse me çeljen e negociatave bëhet fjalë për “një sinjal të qartë për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe pajtimin për të gjithë Europën”.

Në samit do të ketë përpjekje për të bindur Macron. Argumenti i fuqishëm i përkrahësve të çeljes së negociatave është vënia në diskutim e besueshmërisë së BE, kur nuk mban premtimet. Nga qarqet qeveritare gjermane është bërë e ditur, se puna vazhdon intensivisht.

“Kjo nuk është një temë që do të trajtohet si ndër të tjera”, tha një përfaqësues gjerman. /DW/


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme