Merkeli po e humb durimin me mungesën e solidaritetit evropian

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Në orët e vona të pasdites, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mori udhë drejt Reichstagut, ndërtesës së Kuvendit gjerman, për një takim me grupin e saj konservativ parlamentar. Ishte një takim i rëndësishëm, duke pasur parasysh pakënaqësinë që kishte nisur të merrte hov në partinë e saj për shkak të nevojës për të ofruar ndihmën gjermane pas tragjedisë në kampin e refugjatëve në Moria në ishullin grek, Lesbos. Dhe deputetët e CRU-së së Merkelit dhe të simotrës së saj nga Bavaria, CSU, donin që të kishte shpjegim për situatën. Dhe kërkonin që kjo të bëhej prej vetë kancelares.

Barra e flamurtares

Pse duhej Gjermania që përsëri të merrte barrën më të madhe mbi shpatulla të veta? Çfarë duhet të bënin vendet e tjera të Evropës? Ku ishte Spanja, Austria dhe mbi të gjitha Franca, aleatja më e ngushtë e Gjermanisë, dhe tani për tani partnerja më e besueshme në Bashkimin Evropian? Dhe krejt këto pyetje kërkonin përgjigje prej Merkelit. Është gjithnjë e njëjta situatë kur çështja e refugjatëve vihet në pah. Në Lesbos, një kamp refugjatësh përfshihet në flakë dhe shumica e kryeministrave të shteteve evropiane po rrinin duarkryq. Është demonstrim tjetër i “mjerimit të tërësishëm të politikës evropiane të azilit”, do të deklaronte më vonë kancelarja Merkel.

Të gjithë kishin njohuri për kushtet e mjerueshme në kamp. Por asgjë, tha ajo, nuk ishte më e vështirë për Bashkimin Evropian se si të shpërndahen refugjatët nëpër vendet e BE-së. Madje, edhe negociatat për financa, u ankua ajo, janë lojë fëmijësh krahasuar me çështjen e refugjatëve.

Dështim evropian

Deputetët nga CDU-ja dhe CSU-ja thonë se asnjëherë nuk e kanë parë kancelaren kaq të zemëruar qe një kohë të gjatë. Dhe kjo thotë shumë. Merkeli rrallëherë herë humb durimin, pavarësisht se ka qenë cak i sulmeve dhe abuzimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, ose nëse pandemia ka ndryshuar perceptimin publik për liderët anembanë botës. Megjithatë, këto ditë, Merkeli po e ka të vështirë që ta ruajë gjakftohtësinë. Gjermania ka barrë të madhe, sepse tani po ka kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, kur Merkeli po ushtron mandatin e fundit në krye të Qeverisë.

Në skenën e Brukselit, Merkeli është munduar t’i tregonte botës se sa e drejtë është Evropa pavarësisht prej ndryshimeve e acarimeve gjeopolitike dhe traumës që ka sjellë pandemia e koronavirusit. Bashkimi Evropian ka qenë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të luftimit të ndryshimit klimatik. Lidershipi është sfiduar edhe prej raporteve të bllokut evropian me Kinën. Por shpërthimi i zjarrit në kampin e refugjatëve iu fryu flakëve të pakënaqësisë: Çfarë të bëhet me më shumë se 13 mijë refugjatë, të cilët ishin paketuar në një kamp të shkatërruar?

Të ngjashme