Merkeli u bën thirrje gjermanëve të vaksinohen për të shmangur dimrin e keq me virus

Prishtinë | 13 Nën 2021 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të shtunën u bëri thirrje të gjithë gjermanëve të pavaksinuar që të marrin vaksinat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi shkalla e infeksionit me koronavirus në këtë shtet ka arritur një maksimum të ri derisa edhe numri i vdekjeve po rritet.

“Nëse qëndrojmë së bashku, nëse mendojmë të mbrojmë veten dhe të kujdesemi për të tjerët, ne mund ta shpëtojmë vendin këtë dimër”, ka thënë Merkel.

Kancelarja paralajmëroi se “këto janë javë shumë të vështira përpara nesh”.

Qendra e kontrollit të sëmundjes në Gjermani ka bërë të ditur se shkalla e infeksionit në Gjermani u rrit në 277.4 raste të reja për 100,000 banorë gjatë shtatë ditëve, nga 263.7 sa ishin një ditë më parë.

Instituti Robert Koch raportoi 45,081 infeksione të reja, dy ditë pasi totali ditor arriti në 50,000 për herë të parë.

228 vdekje të tjera nga COVID-19 e sollën totalin e Gjermanisë në pandemi deri më tani në 97,617.

Ndërsa shkalla e infeksionit nuk është ende aq e lartë sa në disa vende të tjera evropiane, derisa rritja e tij e pamëshirshme në Gjermani ka ndezur kambanat e alarmit.

Kancelarja në largim Merkel planifikon të takohet me 16 guvernatorët e shteteve të vendit për të koordinuar masat mbarëkombëtare javën e ardhshme, dhe parlamenti po shqyrton legjislacionin që do të sigurojë një kuadër të ri ligjor për kufizimet gjatë dimrit.

Të ngjashme