Kancelarja Angela Merkel tha në prag të bisedimeve me Presidentin Tayyip Erdogan se Gjermania dëshiron të punojë me Turqinë ekonomikisht, por shtoi se ajo gjithashtu do të ngrejë çështje të ndjeshme të të drejtave të njeriut dhe të të burgosurve gjermanë në Stamboll.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar shumë gjatë muajve të fundit dhe Turqia është tronditur nga kriza ekonomike, ndaj Erdogan është “i etur” të përdorë vizitën e tij tre-ditore për të rindërtuar lidhjet tregtare me Gjermaninë.
Gjatë një diskutimi me median mbrëmjen e të enjtes, Merkel përjashtoi ndihmën e drejtpërdrejtë për Ankaranë, por theksoi se dy vendet duhet të punojnë së bashku ekonomikisht dhe me siguri do të arrijnë disa marrëveshje këto tre ditë.
Kancelarja gjermane tha se do të trajtojë si situatën e të drejtave të njeriut, ashtu edhe fatin e të burgosurve gjermanë në Turqi, gjatë bisedimeve të saj me Erdoganin, të programuara për t’u mbajtur sot dhe nesër.
“Situata e të drejtave të njeriut nuk është se si unë do të doja ta shihja atë, tha Merkel, duke shtuar se mbetet e shqetësuar për gjermanët që mbahen të arrestuar nga Turqia.
Në një artikull të Erdoganit, të botuar nga e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine, ndërsa filloi vizitën e tij tre-ditore, kreu turk i kërkoi Berlinit të caktojë grupin që ai fajëson për një përpjekje grushti shteti më 2016-ën, si një organizatë terroriste.
Gjermania deri tani ka thënë se ka nevojë për më shumë prova për të lidhur lëvizjen e klerikut mysliman Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, me përpjekjen për të përmbysur Erdoganin.