Mesazhet amerikane: Zyrtarja e USAID në Prishtinë, nuk takohet me Kurtin, nuk mori pjesë as në ngjarjet ku ishte ajo

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar me insistimin et ij se raportet me SHBA-në s’janë prishur pas vendimit të fundit për dinarin, ndonëse zyrtarë të lartë të Qeverisë Amerikane, duke filluar nga Jim O’Brien e duke vazhduar më pas me emisarin Gabriel Escobar e duke përfunduar me ambasadorin amerikan në Prishtinës, Jeff Hovenier, kanë potencuar të kundërtën.

Uashingtoni zyrtar duket se tashmë nga deklaratat për prishje raportesh me Qeverinë e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, kanë kaluar në veprime konkrete që sinjalizojnë nivelin tepër të ulët të raporteve të Qeverisë Amerikane me Qeverinë Kurti.

Zyrtarja e lartë e USAID, Erin E McKee, ka qëndruar dje për një vizitë zyrtare në Kosovë. Megjithatë ajo është takuar vetëm me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

McKee ka thënë se përkushtimi i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjeve me “qeveri specifike”.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka deklaruar McKee pas takimit me presidenten Osmani.

Në faqen zyrtare të USAID në Kosovë deri më tani është vetëm njoftimi për takimin e McKee me presidenten Vjosa Osmani, për një intervistë të saj në RTK dhe për një aktivitet të organizuar në Ambasadën e SHBA-së ku ajo është takuar me gratë lidere në Kosovë.

Alarmin e parë se dinari ka dërmuar raportin e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuar të Amerikës e ka dhënë Ndihmës Sekretari Amerikan, Jim O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

O’Brien ka deklaruar se nëse kryeministri Albin Kurti nuk do ta trajtojë SHBA-në si partnere, do t’i kthehet në të njëjtën monedhë.

Përkundër kësaj deklarate të O’Brien, Kurti gjatë një prononcimi për media kishte thënë se sa i përket raportit me SHBA-në gjithçka është në rregull. Ky qëndrim i tij se kinse s’po ndodh asgjë kishte nxitur një konferencë të jashtëzakonshme të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili nga hyrja e objektit të Ambasadës kishte demantuar Kurtin sa i përket raportit me SHBA-në.

Emisari i Qeverisë Amerikane për rajonin, Gabriel Escobar, gjithashtu ka qenë tepër i qartë sa i përket dëmit që dinari ka shkaktuar në raportin mes Washingtonit zyrtar dhe Qeverisë Kurti. Ai madje ka thënë se Kurti përveç që s’po koordinohet me SHBA nuk po kontribuon as në sigurinë rajonale.

Pas gjithë këtyre deklarimeve, në një bashkëbisedim me gazetarët në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk mund të thuhet më qartë se sa që është thënë se në çfarë rruge janë duke shkuar raportet e Kosovës me SHBA-në. (Gazeta Express)

Të ngjashme