Partia Demokratike e Kosovës e Kosovës nuk mori një rezultat të mirë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Megjithëse u rendit subjekti i dytë politik, PDK-ja, mori vetëm 19 deputetë në zgjedhjet parlamentare.
Por a duhet të ketë reforma të të brendshme në parti pas këtij rezultati jo të mirë në zgjedhje dhe cila është rruga që duhet të ndjekë ky subjekt politik?
Zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti, në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic” ka folur më gjerësisht për këtë çështje.
Haliti ka potencuar se PDK-ja është 90% e reformuar dhe se reformimi bëhet mbi baza ideologjike, organizative dhe bërjes së demokracisë së brendshme.
“Partia Demokratike realisht është 90% e reformume, nëse është në pyetje me kuadro, sepse në tërësi gjenerata e themeluesve të partisë nuk është as 10% në organet e partisë. Problemi është qysh e mendon dikush reformimin, reformimi bëhet edhe me koka të thinjura edhe me të rinj, edhe me gra edhe me djem edhe me vajza. Nuk është reformimimi sa gra janë dhe sa vjet ato i kanë, as sa djem janë dhe sa vjeçar janë, por reformimi bëhet mbi baza ideologjike të partisë, organizative edhe bërjes së demokracisë së brendshme”
“Në qoftëse ka demokraci të brendshme dhe rregulla, përmes të cilave secili anëtar i partisë ose secili që dëshiron të antarësohet në parti, shpreson që mund ta gjejë veten perbrenda atij subjekti, atëherë kjo është reforma. Nuk është reforma siç nganjëherë i dëgjoj disa që ftyrat e vjetra dhe ftyrat e reja, jo nuk është. Sepse partitë në përgjithësi duhet të demokratizohen, partitë janë institucion. Nëqoftëse nuk funksionojnë, nuk e kanë kushtetutën e brendshme të vetën të rregulluar, atëherë smunden me funksionu dhe smunden me bë reformë pa kushtetutë të partisë, pa statut dhe pa program që përcaktojnë rregullat e lojës”
“Rregullat e lojës përcaktohen kur kemi lidership i cili nuk e sheh veten gjithmonë në krye të partisë, nuk e sheh veten në krye të vendit ose për hir të partisë disa edhe sakrifikojnë për me bë partinë dhe mos me u interesu shumë ku mbesin vetë. Këto janë çështjet përmes të cilave refomohet secila parti. Nëse e njëjta praktikë vazhdon siç ka qenë para 20 viteve, te një subjekt politik, atëherë nuk do ta kisha konsideru të refomuar askënd. Disa parti psh LDk-ja e ka ndërru kryetarin sepse ka dhënë dorëheqje kryetari i mëparshëm”, ka thënë Haliti.
I pyetur se a duhet të japë dorëheqjen kryetari i PDK-së pas humbjes në zgjedhje, Haliti u përgjigj kështu.
“PDK-ja ka shumë arsye që të bëjë analiza. E para të bëjë analizë se cilat janë aryet se pse ka humb PDK-ja, cilët janë shkaqet e humbjes, dhe po të vijë dikush tjetër a mund ta rregullojë partinë më mirë se këta që janë tani. Gjithçka që bën secila parti bën për interes të vetin, nuk bën për ta dënu dikë ose për ta ngritur dikënd. Reformimi i çdo partie është kushtetuta e brendshme e partisë dhe respekimi i saj” tha Haliti për “Gazeta Blic”.
Por në një këndvështim tjetër gjithë këtë situatë po e sheh njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari.
Jashari në një prononcim për “Gazeta Blic” tha se pas kësaj humbjeje, këtij subjekti politik i duhet një reflektim i thellë me një analizë të detajuar dhe plan veprimi.
“Rezultati zgjedhor si për çdo parti edhe për PDK-në,duhet të jetë një tregues se kur shifrat tregojnë ulje të këtij niveli, duhet të ketë një reflektim të thellë, një analizë të detajuar dhe një plan veprimi si të kthehen në rezultat. Rezultati i PDK-së, e detyron këtë subjekt për të filluar një reforme te thellë në të gjitha nivelet sidomos në nivel të degëve dhe nivelin qendror. Strukturat drejtuese të PDK- duhet të mendojnë për një lidership të ri, strategji të re dhe qasje të re politike në raport me pushtetin e ri”
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LVV-ja, zuri vendin e parë duke lënë pas me një rezultat të thellë PDK-në dhe LDK-në.