Mesfushori i Manchester Unitedit dhe Kombëtares së Brazilit, Fred, ka thënë se është normale që ka aq shumë presion mbi të dhe pjesën tjetër të skuadrës së “Djajve të kuq” pas rezultateve të fundit, pasi që ata po luajnë në një klub të madh.
Skuadra e Jose Mourinhos nuk e ka filluar sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga gjithsej tetë ndeshje të zhvilluara në Premierligë, Manchester Unitedi i ka humbur tri, si dhe e ka barazuar një, transmeton Gazeta Express.
Këto rezultate raportohet se e kanë tensionuar edhe situatën brenda klubit, pasi që as e ardhmja e trajnerit Mourinho tanimë nuk është e sigurt. Për më tepër, dje është raportuar se yjet e klubit, si David de Gea, Paul Pogba, Anthony Martial, Luke Shaw dhe të tjerë, nuk dëshirojnë ta vazhdojnë kontratën me klubin nëse nuk largohet strategu portugez nga klubi.
Që nga pensionimi i Sir Alex Fergusonit në vitin 2013, Manchester Unitedi nuk ka arritur të përsërisë sukseset e mëparshme, si në Premierligë, ashtu edhe në garat e tjera evropiane dhe vendore. Megjithatë, presioni mbi ta vazhdon të mbetet i madh dhe këtë gjë, mesfushori i ri i Manchester Unitedit e konsideron plotësisht normale.
“Manchester Unitedi është një ekip i madh, kështu që nëse rezultatet nuk janë të mira, njerëzit dhe mediat mendojnë pse po ndodhë kjo gjë. Ata mendojnë se diçka nuk është në rregull, kështu që kjo është normale. Presion të tillë ka në çdo kompani të madhe kur ka rezultate të këqija”, ka thënë Fred, i cili për momentin është në detyrë me Kombëtaren e Brazilit.
“Dhe as Manchester Unitedi nuk është ndryshe, me gjithë kualitetin dhe rëndësinë që ka. Natyrisht, është gjithmonë mirë ta veshësh fanellën e Kombëtares dhe ndërkohë, sa jemi këtu, ne tentojmë të harrojmë pak për klubet dhe të përqendrohemi vetëm këtu”.