Messi do të paguhet nga Barcelona deri në vitin 2025 edhe nëse largohet

Prishtinë | 13 Jan 2021 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Skuadra e Barcelonës do të duhet t’i paguajë nga 190 mijë euro për çdo javë Lionel Messit deri në vitin 2025 nëse eventualisht ylli argjentinas vendos të largohet nga “Camp Nou” në fund të këtij sezoni, kur edhe i skadon kontrata.

Kështu ka raportuar të mërkurën e përditshmja spanjolle “Marca”. Messi ishte i dëshpëruar të largohej nga Barcelona në verën e vitit të shkuar, pasi u zhgënjye nga rezultatet e klubit në sezonin e fundit. Mirëpo, Barça bllokoi çdo lëvizje të tij, duke insistuar se të gjitha skuadrat që duan ta transferojnë Messin do të duhej të paguanin klauzolën e lirimit të argjentinasit në vlerë prej 700 milionë eurosh.

Aktualisht, e ardhmja e Messit është në ajër dhe sipas mediumeve në Spanjë, ai pritet të largohet si lojtar i lirë nga Barcelona në fund të këtij edicioni. Madje, thuhet se ylli argjentinas tashmë ka nisur negociatat me Manchester Cityn, pasi është futur në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij. E nëse Messi largohet, atëherë ai do të vazhdojë të fitojë nga 190 mijë euro në javë për katër vjetët e ardhshëm nga Barcelona për shkak një marrëveshjeje në kontratë, që është përfshirë shumë vite më parë.

“Barcelona, që është në vështirësi financiare për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të duhet t’i paguajë Lionel Messit nga 190 mijë euro në javë deri në vitin 2025 nëse ai vendos të largohet në verën e këtij viti”, ka shkruar “Marca”.

Në raportin e gazetës thuhet se Messi, i cili ka fituar gjashtë herë “Topin e Artë” do të arkëtojë 39 milionë euro në fund të këtij edicioni, që është gjysma e bonusit të tij prej 78 milionë eurove që u dakordua kur argjentinasi vendosi firmën në rinovimin e kontratës së tij të fundit në vitin 2017.

Gjysma tjetër e bonusit, zyrtarisht thuhet se do të paguhet me këste, ku Messi do të marrë paratë në tetë pagesa të ndara gjatë katër vjetëve – që do të vazhdojnë deri në vitin 2025. Bazuar në këtë, del se Messi do të marrë 190 mijë euro në javë nga Barcelona nëse prej edicionit të ardhshëm do të luajë në një klub tjetër. Kjo do të ishte një tjetër goditje e madhe për Barcelonën, që aktualisht ka një borxh gati prej një miliard eurosh.

Skuadra nga La Liga njoftoi gjatë sezonit 2019/20 se priste të ishte klubi i parë që do të thyejë rekordin duke arkëtuar mbi një milionë euro në të ardhura brenda një viti të vetëm.

Megjithatë, kjo shifër nuk u arrit për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit dhe si rezultat i kësaj, Barça pësoi një humbje prej gati 100 milionë eurosh në sezonin e fundit dhe ka shqetësime se ky sezon mund të jetë edhe më i keq sa i përket këtij aspekti. Kjo do të thotë se presidenti i ardhshëm i Barcelonës dhe bordi i tij, duhet urgjentisht të merren me borxhe të mëdha kur të vijnë në krye të klubit. Krahas borxhit, kryesia e re duhet të merret edhe me çështjen e së ardhmes të Messit. Javë më parë, Messi ka deklaruar se asgjë nuk është e sigurt për të ardhmen e tij, dhe se vendimin përfundimtar do ta marrë në fund të këtij sezoni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme