Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e ka dëshmuar veten si një prej lojtarëve më rrezikshëm nga gjuajtjet e lira, pasi ka shënuar 52 gola deri më tash prej këtyre lloj goditjeve. Dhe nuk është e gjitha e rastësishme. Argjentinasi ka zbuluar se po i studion lëvizjet e portierëve kundërshtarë në mënyrë që ta perfeksionojë goditjet e tij.
Gjatë edicionit të shkuar, Messi realizoi gjashtë gola prej 41 tentimeve nga gjuajtjet e lira në La Liga, e këtë edicion ka shënuar katër gola në 12 tentime. Sipas tij, studimi i lëvizjeve të portierëve ka bërë që ai këtë edicion të jetë dukshëm më efikas nga gjuajtjet e lira.
Sulmuesi 32-vjeçar, zbuloi se shikimi i lëvizjeve të portierit që qëndron pas murit, është thelbësor për ngritjen e nivelit të tij të goditjes.
“Unë fillova t’i studioj gjuajtjet e lira për të parë nëse portieri po lëviz përpara se topi të goditet, nëse hedh një hap apo nëse nuk reagon fare derisa pret gjuajtjen. Kjo më bëri kureshtar dhe e kuptova se mund të jem edhe më efikas nga gjuajtjet e lirë. Nëse ai lëviz para goditjes, atëherë ajo duhet të jetë më e fortë kurse nëse qëndron statik, mjafton një gjuajtje për të kaluar murin”, është shprehur Messi. “E vërteta e gjithë kësaj është vetëm puna në stërvitje. Unë këtë edicion jam përmirësuar dukshëm në krahasim me edicionin e shkuar, falë stërvitjeve, por edhe studimeve që i bëjë rregullisht për lëvizjet e portierëve. Besoj se këtë edicion mund të shënoj më shumë gola nga gjuajtjet e lira”.
Messi, i cili e fitoi “Topin e artë” këtë vit, duke u bërë rekordmen me gjashtë trofe të tillë, ka shënuar gola nga gjuajtja e lirë këtë edicion nga ana e majtë, e djathtë dhe qendrore.Koha.Ditore.