Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka takuar zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës Behgjet Pacolli.
Gjatë këtij takimi Meta e ka falënderuar Pacollin për angazhimin e Kosovës për ndihmën e ofruar për tërmetin që shkaktoi pasoja të rënda më 26 nëntor në Shqipëri, duke lënë 52 persona të vdekur dhe mbi 1 mijë të lënduar.
Kreu i shtetit shqiptar e falënderoi poashtu numrin dy të qeverisë në detyrë në Kosovë, për angazhimin e tij personal dhe dhurimin e 1 milion eurove.
Njoftimi i plotë:
“Presidenti Meta pret në takim Zëvendëskryeministrin e Kosovës, z.Behgjet Pacolli
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, z.Behgjet Pacolli.
Presidenti Meta e falenderoi z.Pacolli për mbështetjen dhe ndihmën e vyer të autoriteteve të Kosovës, dhe veçanërisht për angazhimin e tij personal, për të kontribuar me një ndihmë financiare prej rreth 1 milion euro, për tejkalimin e pasojave të rënda të tërmetit të 26 nëntorit.
Z.Pacolli shprehu gatishmërinë për të filluar sa më parë projektin e tij bamirës për ndërtimin e banesave të reja të familjeve në Thumanë, që humbën shtëpitë e tyre nga kjo fatkeqësi natyrore“.