Presidenti i Republikës Ilir Meta nga Xhafzotaj në Durrës ka dhënë një deklaratë për mediat.
Meta u shpreh se duhet të njihet 13 tetori, pasi përndryshe kriza sa vjen e thellohet. Ai shton se po e pret Ramën që të reflektojë për këtë datë të rëndësishme.
“Rama ndoshta e ka datë tersi 13 tetorin, por ne e shtymë provimin e qershorit për në tetor. Nëse edhe në tetor nuk do gjejmë zgjidhje për krizën, mund të ndodhë përshkallëzim akoma dhe më i madh.
Para 20 vjetësh Shqipëria ishte para Kroacisë. Ku është Kroacia sot? Ku është Shqipëria? Shqiptarët po ikin sikur të ishte viti ’90. Kush do mbajë përgjegjësi?! Jam shumë fleksibël për të ndryshuar datën 13 tetor, meqë është perceptuar si ditë tersi. Por nuk kam në dorë të ndryshoj dot 18 tetorin. Kemi futur mik të fortë për të shtyrë provimin në vjeshtë, por s’çelen negociatat me qoka ndërkombëtarë”, deklaroi Meta.
Meta tha se ndërkombëtarët nuk duhet të thonë që “gomari fluturon”, por për Metën në Shqipëri një gjë e tillë nuk ndodh.
“Çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është demonstrim i rrëmujehanës që zhvillohet. Mungesë e respektit për Kushtetutën, keqzbatimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që u realizuan tri vete më parë. Me një qarkore u shpall inekzistent dekreti i presidenti dhe u mblodh organizata socialiste në KQZ dhe u bë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, dhe u bë rrëzimi i kërkesës së zotit, Idajet si rrëzimi i dekretit të Presidentit.
Por siguroj shqiptarët që nuk ka pasur zgjedhje të qytetareve, as zgjedhje kushtetuese në 30 qershor. Çdo ndërkombëtar që thotë që gomari fluturon, kjo mund të ndodhë në art dhe pikturë, por në Shqipëri e dimë që gomari nuk fluturon. Nuk është shqiponjë”, u shpreh Meta.
Pjese nga prononcimi per mediat:
Pyetje: Zoti Meta, i keni bërë një ftesë zotit Rama për të dialoguar rreth datës së 13 tetorit. Për atë, 13 tetori ishte si çdo datë tjetër duke refuzuar që të jetë pjesë e zgjedhjeve.
Presidenti Meta: Kam përshtypjen se Kryeministri e percepton ndoshta si datë tersi 13 tetorin. Por dua ta siguroj atë e të gjithë, se e vetmja datë, ndaj së cilës nuk kam asnjë mundësi që të ndikoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë, është 17-18 tetori kur udhëheqësit e Bashkimit Europian do të vendosin për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Natyrisht edhe me Maqedoninë e Veriut.
Të gjithë ne e kemi të qartë se me mik shumë të fortë provimin e qershorit e shtymë për në tetor, për në vjeshtë.
Është e domosdoshme që të jemi mjaft të përgjegjshëm e të sinqertë para shqiptarëve. Të paktën unë si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe zoti Rama si kryetar i Qeverisë, edhe i mazhorancës aktuale, natyrisht edhe zoti Basha si kryetar i opozitës, se nëse përpara kësaj date, pra 17-18 tetorit ne nuk do të arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, dhe njëkohësisht të gjejmë një formulë për kapërcimin e kësaj krize, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm.
Dhe në vend të gjetjes së kësaj zgjidhje, që duhet ta kishim gjetur që në momentin e parë kur unë, më 10 qershor firmosa dekretin për shfuqizimin e datës 30 qershor si ditë zgjedhjesh, të paktën të mos humbasim asnjë orë dhe asnjë sekondë nga sot e në vazhdim, sepse 17-18 tetori do të ikë dhe do të vijë 19 tetori.
Shqiptarët më 19 tetor nuk duan të dëgjojnë justifikimet e askujt për të zhvilluar ping-pongun e radhës së fajësimit.
Pra është e qartë se e vetmja datë mbi të cilën unë nuk ndikoj dot është 17-18 tetori, sepse këtë e ka vendosur Bashkimi Europian.
Së dyti, jam fleksibël, meqenëse mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori që ta rishikoj këtë datë, por përpara 17-18 tetorit, në çdo moment do të ishte i mirëpritur.
Unë kam kaq kohë që po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë, për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme.
Përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë që do të dalë me kosto zero.
Aq më tepër ata, të cilët kanë punuar me shumë përkushtim për të gatuar këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri/Balkanweb.