Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend, marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit.
Sipas Metës, kjo marrëveshje cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.
Në arsyetimin e Kreut të Shtetit, thuhet se procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, dhe nuk është siguruar mendimi i ekspertizës së pavarur vendase.
Ndër të tjera, theksohet se për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian.
Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi me 75 vota pro, ligjin për administrimin e Parkut të Butrintit nga Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillim për 10 vitet e ardhshme.
Edhe grupime të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar kalimin e Parkut të Butrintit në menaxhim të Fondacionit shqiptaro-amerikan për Zhvillim.