Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar shkrimtarin rilindas, Gjergj Fishtën, në 150-vjetorin e lindjes së tij.
Meta përkujtimin e Fishtës e ka nisur me një strofë të poezisë “Shqypnija”:
“Edhè hâna do t’ a dijë, Edhè dielli do t’ két pá, Se për qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”.
“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, epikun e madh dhe shprehësin më të fuqishëm të idealeve atdhetare dhe demokratike, personalitetin e jashtëzakonshëm politik, artistik, diplomatik dhe klerik, veçanërisht gjatë periudhës kur jetoi, që si rrallë kush jetësoi vlerat e Rilindjes Kombëtare, iluministin e paharruar At Gjergj Fishta”, ka shkruar Meta në Facebook.
Meta përmes këtij postimi vuri në pah kontributet e Fishtës për shqiptarët.
“Shqiptaria e kulluar, që na la trashëgim, prej së cilës frymëzohemi dhe me të cilën krenohemi, angazhimi i jashtëzakonshëm për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përpjekjet brilante diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe vendosja, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e trojeve dhe sovranitetit të vendit, e bën rolin dhe kontributin e tij, një gurthemel të rëndësishëm të vetëdijes shqiptare:, ka shkruar tutje ai.
Postimin e tij presidenti shqiptar e përfundoi me strofën e fundit të së njëjtës poezi:
“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, E me dije e me Lirí, Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”