Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi ka njoftuar se me Metën kanë biseduar për prioritetet dhe sfidat e dy shteteve tona.
“Në prag të festës tonë kombëtare, 28 nëntorit, sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kisha kënaqësinë që bashkë me kolegë, të mirëpres Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta. Në këtë takim vëllazëror, me Presidentin Meta diskutuam për prioritetet dhe sfidat e dy shteteve tona, për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian. Po ashtu, Presidenti Meta na uroi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për rezultatin e PDK-së në zgjedhjet komunale”, ka pohuar Krasniqi.
Tutje, kreu i PDK-së, ka shkruar se “e vlerëson si tepër të rëndësishëm e pa alternativë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe si parti lidere e opozitës do të jap kontributin e saj në çdo formë e në çdo proces që ka këtë synim”.
Meta po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë, ku është takuar me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj atë të Kuvendit Glauk Konjufca.
Kurse pasdite do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.