Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u shfaq i alarmuar nga rritja e borxhit publik, duke folur për një rrezik që i kanoset financave publike.
Në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit akuzoi qeverinë për fshehjen reale të borxhit, teksa tha se vendi mund të shkojë deri në falimentim, nëse qeveria nuk merr masa për mbajtjen nën kontroll të tij.
“Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më i parë i raportit të borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në një rrugë kthese përndryshe niveli i borxhit do të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike”.
Ndonëse fokusi i konferencës ishte ekonomia, jashtë interesit nuk mbetën as zhvillimet politike. Kryeministrit Rama që jo pak herë e ka përfshirë si lojtar të tretë në zgjedhjet e 6 Marsit sërish, i kujtoi se në betejë do ta këtë pasi të heqë kostumin e Presidentit.
“Unë do të marrë pjesë në garë në emër të popullit të dy marsit dhe përtej. Të bëhen gati, se pas ballafaqimit të parë, i cili do të jetë me e largëta në një vit që janë zgjedhjet e përgjithshme vendore, koalicionit “Bravo-Brava”, që ka 8 vite qe qeveris Shqipërinë dhe që e di teatër politikën edhe luftën kundër korrupsionit, do t’i recitoj një poezi që e ka bërë shefi i këtij koalicioni Bravo-Brava, atë Ina Ina, por pas zgjedhjeve.”
Në një tjetër prononcim nga Durrësi, Presidenti Meta apeloi që zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit të jenë një mundësi për të rivendosur integritetin e cenuar rëndë të votës së lirë./tvklan