Meta: Rilindja është në grahmat e fundit

Prishtinë | 25 Qer 2017 | 15:59 | Nga

Ilir Meta ndodhet në Lezhë pas një udhëtimi urgjent që bëri për atje, pas plagosjes së aktivistit të LSI.

Nga ky qytet presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me News24 ku ka folur për ngjarjen dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama.

Ai foli edhe për reagimin e PS-së duke thënë se nuk ka akuzuar socialistët por bandat e Rilindjes. Meta tha se si është e mundur që dy persona në kërkim dalin në mes të ditës dhe qëllojnë me armë, shkruan Lapsi.al.

“Nuk e kuptoj pse ka reaguar PS. Unë nuk kam folur për PS unë kam folur për bandat e rilindjes që janë të njohura jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë që e kthyen Lezhën në Siçili të dikurshme. Ju e dini që kam qenë i detyruar të shkoj në Lezhë dhe para pak ditësh. Ajo që ka ndodhur sot tepër e rëndë. Agresioni nga dy persona në kërkim me mbiemër Ndoka. Tre persona me armë, 100 m larg një QV dhe kanë sulmuar zotin Florian Dushku dhe e kanë qëlluar 2 herë me armë. Janë persona në kërkim, që bëjnë drogën në Lezhë dhe kanë marrë detyrë nga shefi i Rilindjes se do dhunojnë qytetarët shqiptarë. Ne kemi kallëzuar në prokurori, kemi bërë të gjitha veprimet. Policia thotë është gjetur një gëzhojë ndërkohë që janë dy”.

“Është e gjithë platforma e dhunës së tij e faktuar. Edhe në Lezhë, edhe në Pukë edhe në Berat janë bandat që futi në parlament dhe në këmbim iu kërkon të dhunojë votën e qytetarëve shqiptarë. Si mund të dalin 3 persona, 2 prej tyre në kërkim në mes të ditës dhe të qëllojnë me armë. Kjo nuk është hera e parë që po ndodh në Lezhë. Ka ndodhur në mënyrë të përsëritur. Rilindja është në grahmat e fundit. Në qoftë se ndodh ndonjë gjë përgjegjësinë e kanë të dy bashkë se janë vënë në krye të një skenari. Iu bëj thirrje të gjithë lezhjanëve të dalin dhe të ndëshkojnë bandat me votën e tyre. Unë jam këtu për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve. Kjo ka përfunduar. Për të gjitha këto, për emrat, për çfarë ka ndodhur në Shëngjin ka prova, ka dëshmitarë”, u shpreh Meta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme