Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë një ditë pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor se ky akt ishte shkatërrim brutal i marrëveshjes së 5 Qershorit. Si i tillë, për Metën, “Rilindja” u vetëdemaskua si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave.
Meta paralajmëron qeverinë dhe thotë se populli do të jetë në lartësinë që kërkon ky moment historik pasi ditën e djeshme është vendosur një mur në rrugën e integrimit europian. Kreu i shtetit thotë se muri do të shembet më 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme.
“Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i “Rilindjes” si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave. Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit europian. Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme”, shkruan Meta.
Ditën e djeshme Kuvendi miratoi me 97 vota pro Kodin e ri Zgjedhor. Meta ka paralajmëruar se do të tregojë të gjithë emrat e deputetëve që votuan pro ndryshimeve pasi sipas tij janë antikushtetuese dhe pengojnë integrimin e vendit./