Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë thirrje se ka ardhur koha për të menduar dhe vepruar për shqiptarët. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë.
“Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile. Një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan”, shkruan Meta.
Kreu i shtetit jep edhe zgjidhjen që sipas tij rrit shanset dhe ndalon të rinjtë të largohen prej vendit.
“Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin”, shprehet ndër të tjera Presidenti. (tvklan.al)