Meta sot bën publike idenë konkrete për referendumin

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Ilir Meta siç duket është i vendosur ta çojë deri në fund idenë e tij për të thirrur në referendum shqiptarët, si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës ku është futur vendi.

Pas deklaratës me tone të fortë të së premtes, kreu i shtetit ka lajmëruar se sot do të japë ide konkrete për këtë referendum.

Meta ka cituar nenin 150 të Kushtetutës, duke lënë të kuptohet se do të jenë firmat e 50 mijë shtetasve që do t’i kërkojnë Presidentit zhvillimin e referendumit

“Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj”, thuhet në nenin e 150-të.

Kreu i shtetit shprehet përmes një postimi në Facebook se u bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte, por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!

“Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve. Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet? Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!”, shkruan Meta.

Vendimi vjen në një kohë që Gjykata Kushtetuese është futur në ngërç, për shkak të përplasjeve me mazhorancën për zgjedhjen e anëtarëve të saj. Tashmë edhe Besnik Muçi, i dekretuar nga presidenti u largua për shkak të vettingut, ndërsa Marsida Xhaferrllari nuk njihet nga mazhoranca. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme