Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga zgjedhjet e 30 qershorit, kreu i shtetit, Ilir Meta ka nisur lëvizjet dhe po përpiqet të ulë në tryezë mazhorancën dhe opozitën.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të zhvillojë sot një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ambientet e Presidencës duke nisur nga ora 09:00.
Mbrëmjen e djeshme, kreu i shteti iu drejtua me një letër edhe kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkoi takim me qëllim tejkalimin e krizës politike, por shefi i qeverisë mohoi në formë kategorike ftesën e kreut të shtetit, Ilir Meta me arsyetimin se është i zënë me fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar menjëherë ftesën e te parit të Republikës, ndërsa lajmi u konfirmua të mërkurën në mbrëmje nga zëdhënëse i Presidentit, Tedi Blushi. Takimi Meta-Basha pritet të mbahet më ambientet e Presidencës duke nisur nga ora nëntë.
Kriza dhe mungesa e dialogut ka shqetësuar prej kohësh kreun e Shtetit, i cili nuk ka reshtur së kërkuari për palët që të ulen në tryezë dhe të gjejnë zgjidhje për evitimin e kësaj krize. Gjithsesi presidenca me një reagim të dytë, ditën e djeshme, sqaroi se është e gatshme të presë kryeministrin deri sa ky i fundit të gjejë kohën e nevojshme për t’u paraqitur në ambientet e Presidencës.
Kreu i shtetit, Ilir Meta ka shkuar në ambientet e presidencës që në orën 05:00 të mëngjesit, duke i qëndruar besnik orarit, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe në letrën dërguar dje kryeministrit Edi Rama. “News 24” e “BalkanWeb” ka siguruar videon gjatë momentit kur i pari i Republikës futet në ambientet e Presidencës.
Reagimi i Presidencës:
Reagim i zëdhënësit të presidentit, z.Tedi Blushi presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë.