Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta uroi për zgjedhjen president të Francës, Emmauel Macron.
Në një letër dërguar kreut të ri të shtetit francez, Meta fillimisht shpreh urimet e tij për fitoren në garën presidenciale, duke e vlerësuar një fitore të rëndësishme jo vetëm për kombin francez por për të gjithë kombet e Evropës së Bashkuar.
“Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interes të ndërsjellët”, thotë Meta në letrën e urimit.
Urimi i Ilir Metes për presidentin e Francës
Emmauel Macron
President i Zgjedhur i Republikës Franceze,
Shkëlqesi,
Kam privilegjin e madh që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal t’ju përgëzoj për fitoren tuaj plebishitare në garën për President i Republikës Franceze.
Fitorja juaj madhështore është shumë e rëndësishme, jo vetëm për kombin francez, por për të gjithë kombet e Evropës së Bashkuar.
Ajo riktheu shpresën dhe besimin se projekti më i madh i mbas Luftës së Dytë Botërore i paqes, bashkëjetesës e harmonisë mes kombeve, respektit të vlerave të ndërsjella, do të mbetet projekti i së ardhmes evropiane.
Kam kënaqësinë t’ Ju konfirmoj, se Shqipëria do të mbështetet tek Franca dhe në veçanti tek Presidenca Juaj, në përpjekjet e saj për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.
Ju siguroj, zoti President i zgjedhur, se marrëdhëniet dypalëshe të miqësisë dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen më tej dhe do të zhvillohen në fushat me interes të ndërsjelltë.
Duke Ju uruar suksese në misionin tuaj të rëndësishëm, mbetem me shpresën të bashkëpunojmë ngushtë në të ardhmen për të ndarë së bashku mendimet për sfidat dypalëshe, rajonale dhe globale që na duhet të përballim sot.
Sinqerisht
Ilir METAJ,
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
President i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë