Presidenti i Republikës Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur kënaqësinë që vizitën e parë zyrtare për vitin 2019, po e nis pikërisht në Mal të Zi, si një vend fqinj të cilin, sipas tij, e lidh me Shqipërinë, jo vetëm gjeografia, historia, kultura, njerëzit dhe vlerat euro-atlantike, por sidomos e ardhmja e përbashkët dhe pa kthim pas.
Kjo është vizita e dytë brenda gjashtë muajsh që kreu i shtetit shqiptar kryen në Malin e Zi. Në kuadër të kësaj vizite presidenti i Shqipërisë u prit të hënën me nderime të larta shtetërore nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, shkruan sot “Koha Ditore”.
Meta theksoi se bashkë me Gjukanoviqin kanë evidentuar se Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë të gjitha motivet, arsyet, por edhe themelet mbi të cilat do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi në të gjitha drejtimet.
“Jam krenar për përkushtimin e shqiptarëve këtu në Mal të Zi, që nga pavarësia, që nga shtetformimi dhe në vijimësi për të gjithë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë forcimit të shtetit të Malit të Zi dhe integrimit të tij euro-atlantik dhe në Bashkimin Evropian. Sepse në këtë mënyrë i kanë shërbyer interesit më të lartë, jo vetëm të Malit të Zi, por në këtë mënyrë i kanë shërbyer edhe forcimit të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në rajonin tonë. Jam i lumtur që gjeta te presidenti Gjukanoviq mirëkuptim dhe angazhim për një përkujdesje edhe më të madhe ndaj të drejtave të shqiptarëve, për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditave dhe identitetit të tyre, për përfaqësimin më përfshirës në nivel qendror dhe lokal, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave ku ata jetojnë, për mbështetjen e një integrimi më të mirë të tyre këtu në Malin e Zi. Ashtu sikurse në Shqipëri ne do të vazhdojmë të kemi një angazhim edhe më të madh për respektim dhe promovimin e të drejtave”, deklaroi Meta.